Qeveria miraton Paktin për Universitetin

schedule16:14 - 26 Dhjetor, 2018

schedule 16:14 - 26 Dhjetor, 2018

Mbledhja e fundit e qeverisë për vitin 2018 u bë vetëm për kërkesat e studentëve. Këshilli i Ministrave vendosi të ndryshojë tarifat vjetore të studimit dhe kriteret për përfitimin e bursave në institucionet e arsimit të lartë. Katër vendime që i bëri publike vetë kryeministri Edi Rama.

“Studentët nga familje në ndihmë ekonomike, si edhe të verbrit dhe studentët paraplegjikë e tetraplegjikë, përfitojnë financimin 100% të tarifës së regjistrimit. Studentët nga familje me ndihmë ekonomike, të verbër, paraplegjikë e tetraplegjikë përfitojnë bursë 10.000 lekë në muaj. Studentët me notë mesatare mbi 9, në çdo program studimi, përfitojnë financimin 100% të tarifës së regjistrimit, nga tarifë e plotë që paguanin përpara këtij vendimi. Studentët me notë mesatare mbi 9, në çdo program studimi, përfitojnë bursë 10.000 lekë në muaj, ndërkohë që kjo masë ishte në nivelin 8,100 lekë dhe vetëm për studentët me mesatare 10.00”, u shpreh ai.

Të gjithë studentët e tjerë përfitojnë financimin 50% të tarifës së regjistrimit, me pranimin në universitet, të cilët deri përpara këtij vendimi paguanin tarifën e plotë të regjistrimit. Studentët e humbasin këtë mundësi nëse nuk mbajnë gjatë studimit një mesatare mbi 6 në vitet pasardhëse.

“Studentët me notë mesatare mbi 9 në hyrje, studentët nga familje në ndihmë ekonomike, si edhe të verbrit dhe studentët paraplegjikë e tetraplegjikë, jetimë, fëmijët e policëve të vrarë dhe të gjithë grupeve të tjera të përcaktuara në këtë vendim, përfitojnë financimin deri në 50% të tarifës së regjistrimit, kategori të cilat deri përpara këtij vendimi paguanin tarifë të plotë”, tha Rama.

Sa i përket kërkesës për përmirësimin e kushteve të konvikteve kryeministri Rama tha se në Aktin Normativ të buxhetit 2018 që pritet të miratohet së shpejti, janë parashikuar rreth 300 milionë lekë shtesë për kryerjen e investimeve në infrastrukturën e konvikteve për vitin 2019. Ministria e Financave dhe e Ekonomisë është duke negociuar me KFV-në për të vazhduar rehabilitimin e banesave studentore, për një projekt me vlerë 27 milionë euro nga të cilat 7 milionë euro grant dhe 20 milionë euro kredi.

“Ajo ç’ka është pak por e sigurt që të gjitha konviktet brenda këtij mandati do të jenë të rindërtuara”, u shpreh kryeministri.

Vendimi i dytë i qeverisë trajton kërkesën e dytë të studentëve për transparencë me buxhetin nga Ministria e Arsimit dhe Institucione të Arsimit të Lartë, publikimi të gjitha shpenzimeve online.

“Krijohet portali i transparencës dhe të trajtimit të ankesave me qëllim garantimin e transparencës në institucionet publike të arsimit të lartë.  Portali të jetë i aksesueshëm nga të gjithë dhe në të të publikohen on-line: Të dhëna të detajuara mbi të ardhurat dhe shpenzimet financiare të çdo institucioni të arsimit të lartë”, tha kryeministri.

Duke filluar nga viti buxhetor 2019, Bordi i Administrimit të Institucionit të Arsimit të Lartë, nëpërmjet administratorit, duhet të përcjellë çdo tre muaj, për publikim, të dhënat e detajuara mbi të ardhurat dhe shpenzimet financiare. Muaji Prill i vitit të ardhshëm është vendosur si afat për realizimin e këtyre pikave.

Zgjidhje janë ofruar nga qeveria edhe për pesë kërkesat e tjera duke i dhënë edhe afatet e realizimit. Kryeministri Rama shkon më tej në atë që e ka deklaruar Paketa 8+.
“Deri më tani pikat janë:

Punësimi i 1,000 studentëve ekselentë në administratën publike.

Kampusi i universitar i Tiranës:

Krijimi i fondit të solidaritetit që do të synojë të dedikojë 20% të fondit të përgjegjësisë sociale nga kontratat koncesionare për arsimin e lartë”, u shpreh Rama.

Nuk është nevoja për të shfuqizuar ligjin për arsimin e lartë e as të bëhen ndryshime në buxhet tha kryeministri.

“Nuk ka nevojë për ndryshim buxheti. Patjetër që gjithçka është e përllogaritur deri në qindarkën e fundit. Nëse juve ju intereson ta dini deri në qindarkën e fundit do jua japim me shkrim”.

Zgjidhjen kërkesave iu dha pasi përtej deklaratave të studentëve që i thonë jo uljes në tryezë, dialogu ka nisur madje ka edhe një plan të ri kryeministri Rama

“Plani im është shumë i qartë. Unë dua do të udhëheq protestën e studentëve. Ju mund të qeshni, por shumë shpejt do e shikoni se do e kap protestën siç kam kapur të gjitha të tjerat”, tha Rama./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!