Bankat komerciale, financuese apo shkatërruese të bizneseve?

schedule09:11 - 26 Dhjetor, 2018

schedule 09:11 - 26 Dhjetor, 2018

Sektori financiar dhe bankar në Kosovë, vlerësohet jo vetëm më fitimprurësi, por edhe sektori me performancën më të qëndrueshme. Ky sektor, karakterizohet me një prezencë të madhe të kapitalit të huaj, ku 87 për qind e aseteve totale menaxhohen nga bankat e huaja, kështu që kapitali i huaj dominon në 8 prej 10 bankave që operojnë aktualisht në Kosovë.

Vlera e kredive dhe depozitave po thua se për çdo vit është rritur. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Republikës se Kosovës, gjatë këtij viti shuma e kredive ka arritur në 2.7 miliardë euro duke shënuar rritje vjetore prej mbi 11 për qind. Norma mesatare e interesit për kredi ka shënuar rënie në 6.6 për qind.

Kurse vlera e depozitave në 10 bankat komerciale ka arritur në 3.2 miliardë euro. Ndërkaq, norma e kredive joperformuese është 2.7 për qind, normë kjo që konsiderohet më e ulëta në rajon dhe njëherësh tregues i qëndrueshmërisë financiare.

Por, ndryshe vlerësohet roli i sektorit bankar në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik. Ekspertë për çështje financiare thonë se ky sektorë nuk ka sjell rritje ekonomike, ka varfëruar familjet, ngufatur bizneset pasi për një kohë të gjatë ka mbajtur norma të larta interesi në dy shifrore dhe me afat të shkurtër të kthimit të kredisë.

Naim Gashi, ekspert për çështje ekonomike tha për Radion Evropa e Lirë se arsyeja kryesore e frenimit të zhvillimit ekonomik në Kosovën e pas luftës është pikërisht sistemi bankar, i cili me kamatat e larta ka ndikuar në ngufatjen e zhvillimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe gjithashtu ka varfëruar popullatën.

“Mbajtja e kamatave të larta në Kosovë për 20 vjet e ka shfrenuar apo e ka dëmtuar sektorin privat në Kosovë. Bankat komerciale kur e varfëruan popullatën dhe shkatërruan bizneset, tashmë kanë filluar të ulin kamatat. Mirëpo, tashmë është shumë vonë sepse shumica e bizneseve që operojnë në vend janë në kredi deri në ‘fyt’ nga kamatat që i kanë marrë 10 vjet më parë me çmime jashtëzakonisht të larta mbi 10 për qind”, shprehet Gashi.

Ndërkaq, eksperti tjetër për çështje financiare, Milazim Abazi, thotë se sistemi bankar do të duhej të kishte ndikim pozitiv në sektorin privat. Sipas tij, bizneset dhe familjet në Kosovë nuk kanë mundësi të investojnë pa pjesëmarrjen e bankave. Abazi shprehet se kohëve të fundit institucionet financiare kanë ulur normat e interesit edhe pse ende mbeten të larta në rajon.

“Kemi një konkurrencë më të zhvilluar dhe kemi rënie të interesave në kredi, kështu që edhe në të ardhmen duhet të vazhdoi ky trend i rënies së interesave për shkak se Kosova çdo ditë e më tepër rezultatet e stabilitetit dhe çdo lloji stabiliteti politik, ekonomik apo juridik, ndikojnë në uljen e riskut dhe uljen e interesit në kredi”, thotë Abazi.

Kurse, Naim Gashi e quan paradoksale situatën e sektorit bankar karshi bizneseve private në Kosovë. Megjithatë, sipas tij, kohëve të fundit bankat kanë paraqitur produkte të llojllojshme në treg, por politikat janë jo të favorshme për bizneset dhe individët.

“Marrë në përgjithësi, unë mendoj se vetëm duhet të shikohen fitimet e bankave në Kosovë dhe atyre në rajon. Fitimet e sektorit të bankave komerciale në vend kalojnë mbi 60 milionë euro, që është një shumë për një shtete që duhet të ishte tri ose katër herë më i madh. Kurse bizneset që kanë marrë kredi, tregojnë se kamatat prej 10 deri 15 për qind që kanë paguar për 20 vjet, ato i kanë marrë rreth 80 për qind të fitimit të tyre. Sektori privat në Kosovë për dy dekada ka punuar vetëm për interesin e bankave komerciale në Kosovë”, tha ai.

Ndryshe, përveç kredive që qytetarët kanë në bankat komerciale, një pjesë e madhe e klientëve borxhe kanë edhe në institucionet mikrofinanciare që operojnë në vend.

Në 22 institucionet mikrofinanciare të cilat aktivitetin kryesorë e kanë kredidhënien, qytetarët kanë kredi mbi 177 milionë euro më normë mesatare prej 23 për qind./REL