Vjeshta e zgjedhjeve në Ballkan

schedule22:07 - 15 Tetor, 2021

schedule 22:07 - 15 Tetor, 2021

Emisioni Ballkan

Vjeshta e këtij viti dhe pranvera e vitit që vjen, duket se do të jenë të nxehta për disa nga vendet e rajonit. Kosova mban zgjedhjet lokale më 17 tetor, zgjedhje që nuk janë të rëndësishme vetëm në nivel lokal, por edhe qendror, sepse do të konfirmojnë ose jo mbështetjen për qeverinë aktuale të Albin Kurtit. Presidentja Vjosa Osmani e caktoi zyrtarisht datën e zgjedhjeve, duke hedhur poshtë zërat për shtyrjen e tyre për shkak të pandemisë, që vinin pikërisht nga Vetëvendosja e zotit Kurti. Opozita foli, duke thënë se Vetëvendosja e di që ka rënie të mbështetjes.

Por a është vërtetë kështu?

“Implikimet e rezultatit në këto zgjedhje sidomos për tri partitë kryesore në Kosovë, Vetëvendosje, PDK dhe LDK, do të jenë shumë më të gjera dhe më të thella sesa vetëm të përcaktojë se kush do të qeverisë me komunat në Kosovë,” shprehet Ardian Arifaj.

Shpallja e datës së zgjedhjeve pasoi konsultimet që kishte zhvilluar presidentja me përfaqësuesit e partive politike që në fillim të muajit qershor, I njëjti muaj, kur Osmani kishte shkarkuar Valdete Dakën si kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kreshnik Radoniqi, gjyqtar në Departamentin special të Gjykatës së Apelit, kryeson tani KQZ-në. Vendimi për të shkarkuar kreun e KQZ-së, u kundërshtua ashpër nga partitë opozitare, të cilat theksuan se rrezikon edhe pavarësinë dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale. Zgjedhjet lokale pritet gjithsesi të krijojnë një hartë të re politike, por a do të jetë tashmë ndryshimi aq I madh sa ndodhi ne nivel qendror.

“Si duket, Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka përkrahjen dhe mbështetjen që ka pasur më 14 shkurt, prandaj edhe në këto zgjedhje, kjo lëvizje, së bashku edhe me partnerët si Lista Guxo por edhe Alternativa e Mimoza Kusarit, kanë bërë përpjekje që të ofrojnë, të kandidojnë persona që kanë mbështetje popullore, por edhe në njëfarë mënyre mund të bindin qytetarët për projektin për komunën respekctive,” tha Ehat Miftaraj.

Nga ana tjetër, Lista Srpska që merr shumicën e mbështetjes nga serbët e Kosovës, duket se do të vazhdojë të ruajë primatin, ndërkohë që vazhdon të ketë mbështetjen e plotë të presidentit serb Vuçiç dhe partisë së tij SNS. Alternativat e tjera brenda komunitetit serb, nuk duket të gjejnë mbështetje. Madje, kryetari i Partisë Demokratike Progresive, Nenad Rashiç, paralajmëroi tërheqjen e plotë nga politika, duke thënë se nuk është në gjendje të marrë barrën që serbët e Kosovës të pësojnë vetëm pse i përkrahin idetë e tij.

“Nëse ju duhet të garoni në një garë ku mund të humbni gjithçka, e mund të humbni edhe jetën, e nëse institucionet që i zbatojnë zgjedhjet s’janë në gjendje të ofrojnë sigurinë dhe mundësinë e zgjedhjes me të vërtetë të çdo qytetari, ndoshta është koha të mendohet jo vetëm për pushim, por edhe për pensionim”.

Zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë janë mbajtur më 22 tetor të vitit 2017 dhe pjesëmarrja në zgjedhje ishte 44.1 për qind.

MAQEDONI E VERIUT

Edhe zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut mbahen më 17 tetor. Ashtu si në Kosovë, edhe në këtë vend, zgjedhjet locale do të tregojnë edhe mbështetjen për koalicionin qeveritar në nivel qendror, aq më tepër që do të mbahen në kohë pandemie, siç u mbajtën edhe zgjedhjet parlamentare.

 “Nuk shihet që do të ketë ndonjë përmbysje të madhe të rezultateve, nga ana e opozitës në raport me pozitën, dhe pritet të jenë me disa ndryshime aty këtu, rezultatet e përafërta, ku lufta ose beteja më e madhe tek maqedonasit është për qytetin e Shkupit dhe tek shqiptarët për qytetin e Tetovës,” deklaroi Arben Ratkoceri.

Por këtë herë, ka një zhvillim të ri. Partitë shqiptare dhe maqedonase, pozita dhe opozita janë rreshtuar në dy blloqe të mëdha, LSDM dhe BDI, VMRO-DPMNE, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa. E dyta është edhe më interesante sepse është hera e parë që partitë opozitare maqedonase dhe shqiptare bëjnë koalicion parazgjedhor.

Kreu i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, pret që ky koalicion të kapërcejë sipas tij, përçarjet, mungesën e shpresës, krimin, korrupsionin, mungesën e ideve, paaftësinë, mungesën e vizionit dhe strategjisë për zhvillimin e Maqedonisë.

“Një moment historik për të gjithë qytetarët pavarësisht nga përkatësia etnike, për të treguar se Maqedonia vërtet ka mundësi me politikanët e tjerë të cilët janë jashtë LSDM -së dhe BDI -së dhe që mund të jetë ndryshe.”

Por LSDM e Zoran Zaev ka shkuar në këtë rrugë më përpara dhe thotë se ndërton koalicion në bazë të ofertës së qartë, konkrete dhe të realizueshme. Lideri i LSDM-së Zoran Zaev ka deklaruar se LSDM ka bashkëpunim të shkëlqyer si koalicion parazgjedhor me BDI-në, Lëvizjen BESA dhe me PDSH-në.

“Besoj në një fitore të madhe të koalicionit tonë, sepse është i qëndrueshëm dhe unik. Do t’i besojmë dhe do t’i japim mbështetjen njëri -tjetrit, besojmë se në këtë mënyrë do t’u shërbejmë qytetarëve shumë më mirë, sepse jemi gjithashtu një qeveri qendrore, ndërsa komuniteti i reflektuar në nivelin lokal do të ketë më shumë kapacitet për t’u përballur më lehtë me sfidat dhe të zbatojë sa më shumë projekte në të ardhmen,” është shprehur Zaev.

Pozita dhe opozita shqiptare janë të qarta në atë që presin dhe kërkojnë nga këto zgjedhje.

“Është një moment kthese për politikëbërjen në Maqedoninë e Veriut, pasi zakonisht partitë janë ndarë në kampe etnike dhe në ato kampe etnike është zhvilluar gara, dhe në 2017, kjo lloj gare, sikur u rikonceptua në koalicionin LSDM-BDI, dhe tani kemi një garë kryesisht ideologjike për zgjedhjet lokale,” thotë Xhelal Neziri.

Fqinja e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, Serbia, pret pranverën për t’i dhënë fund dilemave nëse do të ketë ndonjë ndërrim pushteti apo jo. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se zgjedhjet në Serbi do të mbahen më 3 ose 17 prill të vitit 2022. Dhe janë disa zgjedhje, zgjedhjet e rregullta presidenciale, ato për qytetin e Beogradit, si dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Vuçiç thotë se do të donte që edhe opozita të merrte pjesë në zgjedhje, ndërkohë që kontrollon pothuaj gjithçka në Serbi, bashkë me partinë e tij progresiste.

“Dua t’iu them vetëm një gjë, që zgjedhjet e ardhshme, në mars apo prill, kurdo që të jenë, janë vërtetë zgjedhjet më të rëndësishme për të ardhmen, ose që Serbia të shkojë përpara, ose që të kthehet në të kaluarën. Ne llogarisim në luftën tuaj, në forcën tuaj, ashtu si ju mund të llogarisni në forcën tonë, në luftën tonë, në kolegjialitetin tonë, përgjegjshmërinë, seriozitetin tonë. Nuk ekzistojnë zgjedhje të lehta, zgjedhje të lehta ekzistojnë vetëm për ata që humbin,” është shprehur presidenti serb.

Opozita i bojkotoi zgjedhjet parlamentare në Serbi në qershor të vitit 2020, duke deklaruar se Vuçiç ushtron ndikim të madh në institucionet shtetërore.

“Kur kritikoni Aleksandër Vucic si president i Serbisë, dhe si kryetar i SNS-së, ky nuk është sulm kundër shtetit të Serbisë, kundër kushtetutës, kundër stabilitetit. Kjo është luftë që të fillojmë të jetojmë si njerëz normalë, që njerëzit të dëgjojnë cfarë dëshiron ky vend dhe që të vijë deri tek ndryshimi,” ka deklaruar Dragan Gjilas

Vuçiç është kundërpërgjigjur duke thënë se pushteti sigurohet duke marrë pjesë në zgjedhje dhe duke i fituar ato.

Zgjedhjet në vendet e Ballkanit nuk kanë qenë asnjëherë të thjeshta, si një ushtrim demokracie. Zgjedhjet që priten të mbahen, qoftë ato lokale, në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, qoftë ato presidenciale dhe parlamentare në Serbi, duket se do të ndikojnë shumë, ose për të ruajtur dhe konsoliduar pushtetet aktuale ose për t’i ndryshuar ato. /abcnews.al/