Bashkia e Tiranës shtron drekën e Krishtlindjes

schedule16:58 - 25 Dhjetor, 2018

schedule 16:58 - 25 Dhjetor, 2018

Në të gjitha mensat sociale në Tiranë, bashkia ka shtruar drekën e Krishtlindjes për njerëzit në nevojë. Festat, kryebashkiaku Erion Veliaj i cilësoi si një moment për të ndihmuar njerëzit në pamundësi ekonomike.

Të moshuar, persona me aftësi të kufizuar dhe në pamundësi ekonomike në Tiranë drekën e Krishtlindjes e kanë kaluar së bashku. Të gjithë mensat sociale kanë ofruar vakte të ngrohta. Tek “Gonxhe Bojaxhi” pranë bregut të lumit ishte edhe kryetari i bashkisë Erion Veliaj.

Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës: “Të gjithë atyre nga qendra sociale “Nënë Tereza” që janë të besimit të krishterë, iu urojmë “Gëzuar Krishtlindjen” sepse mbi të gjitha është festa juaj, qofshi gjithmonë të lumtur dhe paçi vetëm të mira e gëzime në familjet tuaja! Gëzuar! Por, dua që t’i uroj edhe gjithë të tjerët, pavarësisht se çfarë besimi keni, festa e Krishtlindjes është një festë që jo vetëm festohet nga ata që janë besimtarë dhe kujtojnë lindjen e Krishtit, por është edhe një kujtesë për të gjithë ne të tjerët. Nuk ka rëndësi se çfarë besimi jemi për të dhuruar dashuri, për të dhënë të gjithë nga pak për Krishtlindje”.

Këtë muaj festash, tha kryetari i bashkisë së Tiranës, ka treguar se di të jetë një qytet solidar me të gjithë ata që kanë nevojë për mbështetje.

“Nëse ky dhjetor ishte një rekord ku njerëzit dhuruan lodra, rroba, ushqime dhe e gjithë Tirana festoi gjatë gjithë muajit, unë besoj se mund t’i kemi të gjithë muajt kështu. Pse mos ta vazhdojmë në janar, në shkurt e me radhë. Ndaj, thirrja ime është për të gjithë ata që i kanë mundësitë, qofshin individë, familje, kompani: Siç e kishin këtë frymë solidariteti gjatë dhjetorit, ta vazhdojmë gjatë gjithë vitit”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës.

Ndërkohë Veliaj bëri të ditur se Bashkia e Tiranës është përgatitur që edhe viti i ri për të gjithë ata që dëshirojnë ta presin në sheshin “Skënderbej” të kalojë sa më këndshëm./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!