Opozita i ka dërguar një letër Kuvendit ku kërkon mbledhjen e Këshillit për Rregulloren dhe Mandatet për të konstatuar atë që e konsiderojnë si shkelje të paprecedentë në 28 vjet demokraci të rregullores së Kuvendit.
Këshilli për rregulloren, mandatet dhe imunitetin të konstatojë shkeljen e rregullores së Kuvendit në procedurën e përdorur nga mazhoranca për rrëzimin e dekretit të Presidentit që ktheu ligjin për tatimin mbi të ardhurat, si dhe të kërkojnë nga kreu i Kuvendit anulimin e votimit në seancën e 20 dhjetorit me qëllim shqyrtimin e dekretit sipas procedurës së sanksionuar në rregullore.
Janë këto kërkesat e grupeve parlamentare të opozitës, krerët e të cilave përmes një letre i drejtohen Këshillit të Rregullores dhe Mandateve të Kuvendit me shqetësimin se procedura e përdorur të enjten e kaluar, kur mazhoranca, teksa zhvillohej seanca parlamentare e së enjtes, mblodhi komisionin e ekonomisë për të shqyrtuar dekretin e presidentit që ktheu ligjin për tatimin mbi të ardhruat, dhe në fund të seancës plenare e rrëzoi atë duke shkelur nenin 26, 29, 31 e 32 të rregullores së Kuvendit.
Në bazë të kësaj rregulloreje, argumenton opozita, dekreti i presidentit duhej fillimisht të futej në programin e punës së Kuvendit, të përfshihej në Kalendarin e Punimeve, në mënyrë që të shqyrtohet nga komisioni përgjegjës, të votohet në komision dhe më pas me 3/5-tat e deputetëve të pranishëm në parlament, të votohej futja e shqyrtimit të dekretit në seancë plenare. /abcnews.al

