Vettingu në politikë, CDU “ngushëllon” PD-në në Akademinë Politike 2018

schedule21:06 - 23 Dhjetor, 2018

schedule 21:06 - 23 Dhjetor, 2018

Pas rrëzimit të vettingut në politikë, demokratët e kanë gjetur mbështetje morale për atë kauzë nga të djathtët e CDU-së gjermane. Këta të fundit po nxisin të rinjtë opozitarë të marrin fatin e tyre në dorë për të ndryshuar vendin. Qëndrimet u shprehën në Akademinë Politike 2018, materiali i të cilës u shpërnda për mediat nga Partia Demokratike.


Pas rrëzimit në Kuvend të amendamentit kushtetues për Vetting në politikë, demokratëve u ka ardhur një mbështetje morale për atë aksion, nga të djathtët e CDU-së gjermane. Në akademinë politike të të rinjve demokratë, Christian Kremmer, zyrtar i lartë i Partisë Popullore Europiane, e evidentoi si nevojë për Shqipërinë.

Christian Kremmer, zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i PPE: Qeveria zgjidhet që të zhvillojë vendin, ta çojë atë përpara dhe në shërbim të qytetarëve, por qeveria e tanishme nuk e ka kuptuar këtë. Nëse doni të merrni fatin në dorë, punoni për të mundësuar që ju të qeverisni, sepse kohët janë të mira për opozitën. Për fat të keq, PD është akoma në opozitë, por vitin tjetër kjo mund të ndryshojë me zgjedhjet lokale.

Ndërsa deputeti i CDU-së, Andreas Lammel inkurajoi të rinjtë e Partisë Demokratike të ngrenë zërin e të marrin në dorë fatin e tyre për të ndryshuar Shqipërinë.

Andreas Lammel, deputet i CDU: Më lejoni të them qartë: pa ndarjen e pushteteve dhe drejtësi të pavarur nuk ka liri dhe demokraci funksionale. Korrupsioni dhe lidhjet midis krimit të organizuar dhe politikës janë vjedhje ndaj qytetarëve. Korrupsioni pengon investimet dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Prandaj, në rastin e Shqipërisë është logjike që Vettingu të bëhet jo vetëm në drejtësi, por edhe për personat përgjegjës në politikë.

 120 të rinjtë pjesëmarrës në Akademinë 2018, me mbështetjen e fondacionit “Konrad Adenhauer” bashkëbiseduan me kreun e PD, Lulzim Basha dhe ish-kryeministrin Sali Berisha mbi ekonominë, zgjedhjet, mediat, diplomacinë dhe rëndësinë e një elite të re politike të pakorruptuar dhe të painkriminuar që i duhet vendit./abcnews.al