Nga Erblina Mile
Kriza energjitike do të varfërojë edhe më shumë shtresat në nevojë. Nisur nga kjo Fondi Monetar Ndërkombëtar i sugjeron qeverisë që të marrë masa për ti ardhur në ndihmë kësaj kategorie.Kriza energjitike pritet që të ketë impakt edhe në ecurinë ekonomike.
“Kriza energjitike prek të varfrit. Jemi kundër subvencioneve me bazë të gjerë. Konsumatorët familjar që duhet të mbështeten më shumë nga buxheti i shteti. Familje me të ardhura të ulta duhet të jenë në fokus të subvencioneve. Duhet targetuar mbështetja”, ka thënë shefja e misionit të FMN për Shqipërinë, Yan Sun.
Fondi Monetar ndërkombëtar ka hedhur poshtë propozimin e Partisë Demokratike për të ulur TVSH e produkteve ushqimore.
“Jemi kundër ndryshimeve të bazës tatimore pasi kanë gërryer bazën. Ulja e TVSH-je s’do të përkthehet në ulje të çmimeve”, ka thënë ndër të tjera ajo.
Në një moment që qeveria ka miratuar një garanci sovrane në vlerën e 200 mln eurove Fondi Monetar Ndërkombëtar apelon të bëhet kujdes.
“Mungesa e të dhënave të sakta mbi ekspozimin e vërtetë të qeverisë ndaj PPP-ve është një sfidë kryesore. Skemat e garancive për sektorin privat aktualisht në diskutim, mbështetja e ndërmarrjeve shtetërore, veçanërisht në sektorin e energjisë dhe ujit, me garanci sovrane (që po rriten) si dhe mbështetja e herëpashershme buxhetore gjithashtu i shtojnë rrisqet fiskale. Në këtë kontekst, është e rëndësishme të rijetësohen reformat në sektorët e energjisë elektrike dhe të ujit, që janë vonuar në vitet e fundit”.
Ministrja e financave Delina Ibrahimaj theksoi se fokus i qeverisë do të jetë ulja e borxhit dhe planifikimi sa më real i buxhetit.
Ndërkohë guvernatori Sejko deklaroi se aktualisht nuk do të ketë ndryshim të politikës monetare për shkak të rritjes së çmimeve.
FMN parashikon ngadalësim të ecurisë ekonomike për vitet në vijim ndërsa për këtë vit rritja parashikohet të jetë 7.8%./abcnews.al