Reali fiton Kupën e Botës për klubet, polemikat vazhdojnë

schedule14:51 - 23 Dhjetor, 2018

schedule 14:51 - 23 Dhjetor, 2018

Reali nuk i shmangu dot polemikat në fitoren e Kupës së Botës në Emiratet e Bashkuara Arabe. Tifozët vendas vërshëllyen kapitenin madrilen, Sergio Ramos.

Kampion i përjetshëm apo kampion pa rivalë?! Si mund të quhet fitorja e radhës e Realit në Kupën e Botës për Klubet, ndaj Al Ainit të Emirateve të Bashkuara Arabe?

Pak nga të dyja, ndonëse për momentin, në klubin më të madh të planetit është, me të drejtë, kohë për të festuar, por edhe për të reflektuar.

Ishte vërtet Botërori i tretë radhazi, por as ky sukses nuk i fsheh dot problemet e madrilenëve këtë sezon, dhe po ashtu nuk i bëri të heshtin vërshëllimat për kapitenin Sergio Ramos.

Tifozët në stadiumin e Emirateve të Bashkuara Arabe, nuk ia kishin harruar dëmtimin që i shkaktoi egjiptianit të Liverpulit, Mohamed Salah, në finalen e Championsit në maj.

Vetë Ramos, u përpoq të kundërsulmonte, ndërsa nuk i kishte mbetur gjë tjetër për të bërë.

“Vërshëllimat ndaj nesh janë të pakonceptueshme, – tha ai, duke shpjeguar mënyrën e festimit pas golit në finalen ndaj Al Ainit, – duhen respektuar figurat e futbollit. Pavarësisht nga vështirësitë, jemi në garë për çdo trofe këtë sezon. Ne fituam një trofe që duhej ta fitonim. Është një shpërblim prej Championsit dhe është Botërori i tretë radhazi”

Në kundërsulm edhe mediat në Spanjë, që patën diçka për të festuar.

Gazeta “Marka”: Reali nuk është i kësaj bote. Botërori i tretë radhazi!

Suksesi u arrit me shifrat 4-1, me golat e shënuar nga Luka Modriç, Markos Jorente e pikërisht Ramosi për kampionët e Europës.

Al Aini shkurtoi diferencën me rrjetën e Shiotanit, por më pas shkaktoi autogol nga Nader.

Ky ishte trofeu i parë i trajnerit të ri, Santiago Solari, dhe i 90-ti në historinë e klubit, por Reali ende mbetet prapa rivalit më të madh, Barcelonës, që ka 93 tituj në histori. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!