Besart Kadia: Duhet arsim cilësor

schedule21:21 - 21 Dhjetor, 2018

schedule 21:21 - 21 Dhjetor, 2018

Studentët kanë të drejtë të mendojnë për të varfërit, por sipas Besart Kadisë, po u nis këtu debati shoqëror në lidhje me arsimin e lartë, atëherë kemi të bëjmë me politika sociale. Eksperti i ekonomisë ishte i ftuar në emisionin “Provokacija”, ku u shpreh se padashje studentët me anë të kërkesave të tyre po kërkojnë që gjithçka ta bëjë shteti, ndërkohë që më parë lufta bëhej që të dilje nga kthetrat e shtetit.

“Studentët sot me të drejtë mendojnë për të varfërit dhe po e nisëm këtu debatin shoqëror, se çfarë do bëjmë për të varfërit në sistemin arsimor, ne nuk jemi duke folur fare për arsimin e lartë, por për politika sociale. Nga ana morale ne duhet të diskutojmë për individin. Jo të gjithë individët duhet të jenë njësoj. Kurse kur ne i karakterizojmë të gjithë studentët e varfër, ne flasim sikur të gjithë të jenë njësoj në meritë, në aftësi, në merita, në objektiva, në respekt për orën e mësimit, akademinë e kështu me radhë.

Ne duhet të flasim nëse kemi burime njerëzore, pra pedagogë nga universitete që kemi të trashëguara për gjeneratën e ardhshme. Une mendoj që jo. Për të arritur ne duhet të investojmë jashtëzakonisht shumë. Ne duhet të marrim ose ndonjë universitet ndërkombëtar që të bëjë ndonjë trajnim të pedagogjisë, ose të kemi një financim shumë të madh që të merremi vetëm me financimin dhe trajnimin e pedagogëve. Ne po merremi me këta studentë dhe harrojmë se kush do i prodhojë këta studentë. E bëre falas, mjaftojnë financat? Jo asnjëherë. Të gjitha varen nga kryeministri i radhës, që në këtë rast është Edi Rama. Nëse më para studentët doni të largoheshin nga kthetrat e shtetit, përsa i përket arsimit, sot padashje po i kërkojnë që gjithçka ta bëjë shteti. Kur thua arsimim falas, ti praktikisht i thua Edi Ramës më financo mua të ardhmen time. Ti bëhu aksioner te jeta ime. Ti je i vetmi person që do kujdesesh për mua sepse unë do shkoj në universitet, do mësoj, taksat për mua do i paguajë Mustafa Nano”, theksoi Kadia.

Sipas Kadisë, duhet investuar në arsim cilësor dhe ky nuk vjen nga buxheti i shtetit.

“Nëse nga ana morale ti do si student që të kesh një arsim cilësor për 50 vitet e ardhshme të jesh në një punë e të diferencohesh nga të tjerët, ty të duhet arsimi cilësor. Arsimi cilësor me para që vjen nga buxheti i shteti do jenë pas pesë vjetësh do ngrihesh sërish në protesta sepse nuk do të mjaftojnë asnjëherë paratë që të dërgon qeveria. Do ngrihesh prapë në protestë. Ne futemi në një cikël konstant protestash, ku kërkojmë me anë të protestave një gjë që zgjidhet shumë mirë me anë të konceptit të tregut”, tha Kadia.

Megjithatë, protesta e studentëve është e drejtë. Edhe kërkesa për rritjen e buxhetit të arsimit në 5% të PBB-së është një debat që duhet kryer sipas Kadisë.

“Protesta është e drejtë. 100% e drejtë. Asnjëherë nuk është bërë një diskutim real. Këta shohin vetëm problemet e përditshme aty, po zgjidhja që studentët japin nuk do i ndihmojë këta vetë. Studenti nëse ka këtë problem, që nuk ka cilësi, që pedagogu nuk vjen, arsimimi falas nuk do ia zgjidhë, do ia përkeqësojë këtë çështje. Pjesa tjetër që të rritet financimi për arsimin e lartë, të shkojë në 5% të PBB-së, ky është një debat jashtëzakonisht cilësor dhe le të bëhet, por zgjidhja që ata mos të jenë aksionerë në jetën e tyre, nga ana morale nuk është se i ndihmon as ata dhe as shoqërinë”, tha ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!