Tsipras kritikon Kosovën nga Beogradi

schedule22:27 - 21 Dhjetor, 2018

schedule 22:27 - 21 Dhjetor, 2018

Gjatë një vizite në Beograd, kryeministri grek Aleksis Tsipras ka kritikuar lëvizjet e fundit të Prishtinës zyrtare ndaj Serbisë. Megjithatë, në takimin me presidentin Vuçiç, Tsipras e ka ftuar atë që të vijojë të ndjekë kursin e dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli.

Kryeministri grek, Aleksis Tsipras ka kritikuar Kosovën në Beograd, duke thënë se veprimet e fundit vetëm nxisin tensionet. Në të njejtën kohë, njeriu që arriti marrëveshjen me Maqedoninë ka thënë se inkurajon Serbinë që të mos heq dorë nga kërkesa për një zgjidhje me Kosovën, pasi kjo do të ndihmonte shumë. Në takimet bilaterale me presidentin serb Aleksandër Vuçiç është vlerësuar se Ballkani ka nevojë për tejkalimin e problemeve.

Alexis Tsipras, kryeministër i Greqisë: “Kemi folur për ngjarjet e fundit aspak të këndshme në Kosovë. Këto nisma nuk e ndihmojnë rajonin, por e destabilizojnë atë. Presidenti Vuçiç dhe qeveria kanë një detyrë të vështirë, por Serbia nuk duhet të dalë nga kursi i nisur dhe të heqë dorë nga zgjidhja. Mund të ketë pakënaqësi tek serbët për shkak të emocioneve, por kjo është perspektiva për stabilitet në rajon. I kritikoj veprimet e Prishtinës”.

Presidenti serb theksoi se zgjidhja duhet gjetur para se ndonjë zgjidhje e gabuar t’i paraprijë problemit të Kosovës. Vuçiç theksoi se është e nevojshme të normalizohet situata.

Aleksandër Vuçiç, president i Serbisë: “Kemi patur një qasje të përmbajtur dhe racionale, pasi vetëm kështu mund të sillemi. Shpresoj që BE dhe SHBA të bëjnë presion për taksën dhe që situata të normalizohet, në mënyrë që të kthehemi në bisedime. Nuk kemi shumë shpresë tek shqiptarët e Kosovës pas këtyre veprimeve, por duhet ta provojmë”.

Takimi Vuçiç-Tsipras ndodh një ditë para takimit me liderët e Bullgarisë dhe Rumanisë, një katërshe e shteteve që tashmë duan ta ndihmojnë njëra-tjetrën./abcnews.al