Kuvendi rrëzon draftin për Vetingun në politikë

schedule18:13 - 21 Dhjetor, 2018

schedule 18:13 - 21 Dhjetor, 2018

Parlamenti rrëzoi sot me votat e mazhorancës amendamentet kushtetuese të propozuara nga PD për Vettingun në politikë. Në 7 orë debat gjatë seancës se fundit për këtë sesion parlamentar, deputetë të opozitës dhe mazhorancës hodhën edhe akuza ndaj njëri-tjetrit.

Është dita e të vërtetës.

Taulant Balla: “Duroni, sot është dita e të vërtetës”.

Lulzim Basha: “Sot ndahet shapi nga sheqeri dhe nuk ka kovë me m*t siç tha parafolësi që ta ndryshojë këtë”.

Kanë dy koncepte të ndryshme për të vërtetën mazhoranca dhe opozita në parlament që çuan në rrëzimin e amendamenteve të propozuara nga Partia Demokratike për atë që njihet si Vettingu në politikë. 74 pro dhe 54 kundër është rezultati që prodhoi rreth 7 orë debat në seancën e fundit plenare për këtë sesion.

Klotilda Bushka: “Komisioni i Venecias nuk është organ që ka në juridiksion të kryejë hetime dhe të nxjerrë konkluzione për të dhënë vendime. Aq më tepër brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Është një organ i specializuar konsultimi, ekspertize”.

Enkelejd Alibeaj: “Edhe kjo e sotmja është një seancë Vettingu. Të kërkosh Vetting sot është njëlloj si të kërkosh Vetting në kohërat e kolerës”.

Deklaratat sqaruese pasuan gojë më gojë nga deputetët, por gjuha e përdorur tregoi se vazhdonin ta lexonin ndryshe raportin e Komisionit të Venecias.

Oerd Bylykbashi: “Komisioni i Venecias tregon gatishmërinë e saj që të vijë të na asistojë për të mbyllur ligjin. Pyetja është kush është halli juaj që ju refuzoni Komisionin e Venecias që të na asistojë në këtë çështje”.

Vasilika Hysi: “Ajo që tha kolegu që kjo nismë nuk u mor me seriozitet nuk qëndron. Presioni dhe intimidimi që i bëhej qoftë edhe nga një anëtar i vetëm që vinte në komision dëshmuan qartë që kjo nismë nuk përmbush kriteret”.

Ka edhe një anë tjetër të medaljes u kujton deputeti Dashamir Shehi. Ata që pretendojnë t’i shpëtojnë drejtësisë, do të mbeten peng i ndërgjegjes së tyre.

Dashamir Shehi: “Asnjë nuk është aq i pasur sa të blejë të kaluarën e vet. Ai që vjen nga llumi në llum do shkojë. Nuk e bën të nderuar kjo sallë. Nuk ka për të bërë kurrë të rëndësishëm, nuk do ta bëjë kurrë të ndershëm”.

Përpjekjet e fundit për të bindur njëri tjetrin ranë mbi shpatullat e kryetari të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, dhe në mungesë të kryeministrit përfaqësuesin e bëri kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla.

Lulzim Basha: “Sot nga kjo sallë një vetting do të bëhët. Sot do të merret vesh cilët politikanë duan të jenë mbi ligjin. Dhe kanë frikë nga ky test.”

Taulant Balla: “Lulzim ngrije kokën dhe pranojë që kjo ishte përpjekja jote e fundit për të bllokuar reformën në drejtësi”.

Në ditën e të vërtetave që artikuluan të dy kundërshtarët politikë Taulant Balla kishte sjelle më vetë një dosje të cilën tha se ia ka dhënë një banor i Unazës së Re.

Taulant Balla: “Kjo është dosja e makinës me targë AA 111 EN. Kjo është makina që t’i shkon përditë në protestën tek Astiri. Thotë që makina është në pronësi të kompanisë “Victoria Invest” një prej kompanive që ka fituar tenderin një prej tre loteve të tenderit të Unazës. Ja ku e ke Lulzim. Makinë me vlerën 53 mijë Euro. Ti i shkon pasdite për pasdite banorëvë të Astirit gjoja për t’i mbrojtur këta nga kompania që qenka e Edi Ramës.”

Lulzim Basha: “Këtë në kuadër të shpifjeve për të cilat je dënuar, unë nuk kam ndërmend që gjyqtarëve dhe prokurorëve t’u çoj një shpifje totale. Automjeti im prej 6 vitesh është në listë nga një kompani shumë e mirë dhe në dijeninë time nuk është e asnjë oligarku, as e ndonjë banditi, është e një durrsaku të ndershëm, o mashtrues i certifikuar”.

E kështu përfundoi dita e të vërtetës. Opozita pa propozimin e saj për Vetting në politikë e mazhoranca shpresëplotë se janë gati institucionet që do të seleksionojnë edhe politikanët e ndershëm nga ata të lidhur me krimin e korrupsionin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!