Pas vendimit të Gjykatës së Krujës për lirimin e Rexhep Rrajës, djalit të deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja, Pardia Demokratike në një deklaratë dërguar mediave shprehet se kjo është një provë e rënies së sistemit të drejtësisë.
Sipas PD-së, lirimi i Rrajës është dëshmi e standardit të dyfishtë të drejtësisë që kontrollohet nga Edi Rama.
Reagimi i Partisë Demokratike:
Vendimi për lirimin e përdhunuesit Rexhep Rraja është një tjetër provë e rënies së sistemit të drejtësisë. I biri i deputetit mafioz të Fushë Krujës është lënë i lirë jo për t’i shërbyer komunitetit, por për t’i shërbyer pushtetit kriminal të Edi Ramës.
Lirimi nga burgu i djalit përdhunues të deputetit socialist tregon standardin e dyfishtë të drejtësisë që kontrollon Edi Rama. Nga njëra anë, mbahen në burg qytetarët që nuk paguajnë dot dritat, nga ana tjetër, lihen të lirë ata që vjedhin votat për Edi Ramën, përdhunuesit, vrasësit dhe trafikantët e drogës.
Edi Rama nuk ka ndërmend të ndërtojë një drejtësi më të mirë për shqiptarët, por një drejtësi që i shërben atij, ministrave të tij të korruptuar dhe krimit të organizuar me të cilin vjedh votat dhe bashkëqeveris./abcnews.al