Vetëm dy muaj nga shpërndarja e ujit në rrjetin e Ujësjellësit të ri, banorët në Çermë të Divjakës po përballen me një skandal. Tubacionet janë çarë dhe ujë të pijshëm nuk ka. Ashtu sikurse banorët edhe drejtori i Ujësjellësi i tha ABC News që kjo ka ndodhur për shkak të punimeve me cilësi të dobët nga firma private.
Ujësjellësi i ri në Çermë të Divjakës duhet të ishte shpëtim për banorët. Por ka ndodhur e kundërta.
“Gjithë lagjet kështu janë me probleme”.
“Rruga na u ka prish na u ka bë mizerje, qe rruga për qejf e rregulluam me fondet dhe lekët tona, u ka prish dhe nuk vjen njeri ta shohë me sy”.
Në një kohë që bashkia e Divjakës ka nisur lidhjen e kontratave me abonentët, uji nuk shkon nëpër banesa. Kjo për shkak se tubacionet janë çarë vetëm dy muaj pas shpërndarjes së ujit, dhe rrugët e oborret janë mbushur me baltë. Banorët akuzojnë firmën e cila ka zbatuar projektin për cilësi të dobët të punimeve.
“Nga materiali i dobët që kanë sjellë ata ,se të jetë material i mirë nuk çahet, nuk prishet”.
“Është ca e gjithë komplet. Më ka hyrë uji i komshies i gjithi në shtëpi”.
“Puna e dobët pa kontroll e pa kriter”.
“E kanë bërë lagjen për faqe të zezë e kanë hap dy – tre herë me skrep”.
ABC News u interesua pranë Ujësjellësit në Divjakë. Drejtori Ylli Stambolliu përmes telefonit, ja faturon problemin firmës, e cila ka kryer punimet. Sipas Stambolliut SH A ujësjellës Divjakë e ka marrë në përdorim menaxhimin e ujit dhe çdo defekt dhe problem që do ketë në investimin e ri i takon firmës të bëjë ndërhyrjet dhe riparimet.
Sipas kontratës Bashkia e Divjakës do të marrë në dorëzim investimin në vitin 2020. Deri në atë kohë, firma mban përgjegjësi për problemet në rrjet, por siç shikohet nga pamjet, banorët në Çermë nuk do të kenë ujë, por baltë. /abcnews.al

