Pas urdhërit të ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj për të reduktuar oficerët e rrugores nëpër kryqëzime të ndryshme, Policia Rrugore ka ndryshuar strategjinë ndëshkimit të shkelësve të ligjit të cilët nuk janë të paktë në kryeqytet.
U deshën disa ditë që urdhëri i ministrit të ri të Brendshëm të kalojë nga letrat në terren. Tashmë uniformat blu të rrugorëve duken gjithmonë e më pak në rrugët e kryeqytetit. Të “padukshëm” për sytë e qytetarëve i bën urdhëri i Leshajt. Tashmë vetë Policia Rrugore e kryeqytetit njofton se në kuadër të aplikimit të formave të ndryshme të kontrollit për përmirësimin e shërbimit të saj, po vijon çdo ditë patrullimet dhe monitorimet me shërbime që dokumentojnë shkeljet nëpër segmente rrugore dhe kryqëzime të ndryshme. Më pas për këto shkelje plotësohen procesverbalet nga agjentët në terren dhe më pas adresimi i tyre bëhet sipas adresave që përmban leja e qarkullimit të mjetit të konstatuar në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Nga kontrollet policore në formën e patrullimit dhe monitorimit me mjete të uniformuara dhe të pauniformuara në zonat e kryqëzimeve, në rrugët urbane të kryeqytetit janë evidentuar dhe konstatuar 235 mjete të ndryshme në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor për të cilat janë përpiluar procesverbalet e konstatimit të shkeljeve dhe do bëhet njoftimi sipas normave të parashikuara në Kodin Rrugor të vendit tonë.
Një risi në organizimin e punës së Policisë Rrugore është edhe heqja e policive nga kryqëzimet dhe po ashtu së shpejti pritet që nga duart e punonjësve të Policisë Rrugore do të hiqet edhe blloku i gjobave, për t’u zëvëndësuar nga një tablet elektronik./abcnews.al