Një investim i madh pritet të nisë në Portin e Durrësit, sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Portit Afrim Bakaj. Do bëhet thellimi i baseni dhe i kanalit hyrës ç’ka do të mundësojë përpunimin e anijeve që mbajnë deri në 1000 kontejnerë, ndërsa aktualisht ato sjellin 500-600 kontejnerë gjithsej.
Pas 14 vite diskutimesh, thellimi i basenit dhe kanalit hyrës në portin e Durrësit, do të nisë punën së shpejti. Lajmi u dha nga Drejtori i Përgjithshëm i Portit Afrim Bakaj. Sipas tij ky projekt mundësohet dhe financohet nga vetë Autoriteti Portual, me një shifër prej 8.6 milionë euro pa tvsh. Thellësia e parashikuar në përfundim të projektit arrin në 10.5 metra, nga thellësia aktuale prej 7.5 metra. Kjo do të mundësojë që në port të hyjnë dhe të përpunohen anije që mbajnë deri në 1000 kontejnerë, ndërsa aktualisht ato sjellin 500-600 kontejnerë gjithsej. Në kalata do të mund të ankorohen gjithashtu edhe anije me gjatësi deri në 174 metra.
Afrim Bakaj DAPD: “Kompanitë të cilat punojnë me kontenierë, duam të fusim në portin e Durrësit mjete shumë të fuqishme, me gjatësi shumë të madhe dhe me pesha shumë më të mëdha. Si për mallrat që futen në terminalin lindor, ashtu edhe në terminalin e kontenierëve, sepse kuptohet që kursejnë edhe lek. Një anije që është 300 metra që vijnë nga vende shumë të largëta të botës e kanë kërkuar me insistim për portin ata janë bërë një ndihmë e jashtëzakonshme duke bërë lobingjet e veta si në qeverinë tonë ashtu dhe në raportet ndërkombëtare.”
Ndërkohë, një tjetër investim pritet të realizohet në port. Zgjerimi i kalatave 1 dhe 2. Këto kalata i përkasin Terminalit të Mallrave Gjenerale, i njohur edhe si Terminali Perëndimor. Projekti parashikon rritjen e kapaciteteve përpunuese të anijeve, rritjen e thellësisë së projektuar në menyrë që të mund të ankorohen në këto kalata anije me të mëdha, si dhe rritjen e aftësisë mbajtëse të kalatave. Kalatat do të shfrytëzohen kryesisht për ankorimin e kroçerave të mëdha./abcnews.al