Bylykbashi: Amendamentet e PS minojnë reformën zgjedhore

schedule15:31 - 19 Dhjetor, 2018

schedule 15:31 - 19 Dhjetor, 2018

Bashkëkryetari demokrat i reformës zgjedhore Oerd Bylykbashi, amendamentet e njëanëshme të socialistëve mbi kodin zgjedhor i sheh si provokim dhe prishje të çdo mundësie për të pasur reformë konsensuale përpara fundvitit. Janë të shumta çështjet që duhen adresuar sipas Bylykbashit, por ato nuk janë pjesë e ndryshimeve teknike në Kod dhe kërkojnë vullnet politik të mazhorancës.

Balla një ditë më parë: “Është shumë e rëndësishme që opozita të vijë dhe të votojë reformën zgjedhore”

Që ndryshimet në Kodin zgjedhor të përfundojnë 6 muaj përpara zgjedhjeve të qershorit të ardhshëm, do të duhej që komisioni i reformës të mblidhej për miratim të amendamenteve dhe seanca plenare t’i zyrtarizonte ato brenda seancës së fundit plenare të datës 21 dhjetor.

“Në komision do mblidheshim kur puna teknike do të mbaronte por ajo që bëri PS ishte që prishi përpjekjet e fundit për të pasur një reformë zgjedhore përpara fundvitit”.

Për bashkëkryetarin demokrat Bylykbashi, depozitimi në Kuvend i amendamenteve të socialistëve në mënyrë të njëanëshme, ka për qëllim provokimin e përplasjes dhe hedhjen në erë të mundësisë për konsensus.

“Ajo që kërkon PS në mënyrë të njëanëshme minon reformën zgjedhore, nëse vazhdon kështu reforma zgjedhore mbytet aty ku është”.

Problemet thelbësore të zgjedhjeve nuk zgjidhen përmes amendamenteve teknike të Kodit, thekson Bylykbashi, por tek një numër çështjesh që vetë i liston.

“1.4 milion karta identiteti skadojnë mes janarit dhe qershorit 2019, dhe në zgjedhje nuk votohet pa kartë identiteti të vlefshme. Çdo shtyrje artificiale do të hapte derën për manipulim të zgjedhjeve përmes kartave false, mund të përdoret për shit blerje apo mohim votimi. Listat janë sot të manipuluara edhe për shkak të sistemit të adresave. Abuzimi me burimet shtetërore është çështje e qeverisë. Policia në zgjedhje është çështje e qeverisë, pra problemet kryesore janë jashtë kodit zgjedhor”.

Kusht i rëndësishëm i demokratëve në përgatitjet e kësaj reforme është votimi elektronik për të cilin komisioni ra dakort në zbatimin e një projekti pilot. Për këtë është ngritur edhe një grup pune, në përbërje të së cilit ka edhe ekspertë demokrat, por gjithçka ka mbetur me kaq, njofton Bylykbashi.

Grupi i punës drejtohet nga përfaqësuesit e qeverisë,  nuk është mbledhur kurrë duke humbur kohë të vlefshme për të hartuar termat e referencës për një projekt pilot që funksionon. Dhjetori iku dhe nuk ka terma reference ndaj unë gjykoj që jemi në limitet e të pamundurës”.

Është komisioni i reformës ai që do duhej të binte dakort kush janë çështjet që amendamentet duhet të adresojnë, bazuar mbi përgatitjet që duhet të bëhen për zgjedhjet e ardhshme, por kjo do të kërkonte konsensus të të gjitha palëve anëtare në komision dhe sipas Bylykbashit, amendamentet e njëanëshme të rilindjes dhe afatet duket se kanë pamundësuar një reform zgjedhore të tillë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!