Kriza energjitike, ekspertët: Shqipëria duhej ta kalonte më lehtë, cili është skenari më i keq

schedule13:26 - 5 Tetor, 2021

schedule 13:26 - 5 Tetor, 2021

Në një deklaratë për mediat pasditen e 3 tetorit kryeministri Edi Rama ju drejtua qytetarëve duke i informuar se “një krizë e jashtëzakonshme energjitike” është duke ardhur drejt Shqipërisë.

Kreu i qeverisë shpjegoi se kjo krizë është një një fatkeqësi e re natyrore e “kombinuar me faktorë gjeopolitikë e manovra tregtare.” Rama u shpreh se qeveria do të kujdesët për ata që janë më të cënueshëm nga kjo krizë, por nuk dha detaje sesi planifikon qeveria ta bëjë këtë.

Megjithatë, ekspertë të fushës në një bisedë me Juli Xhokaxhi në “ABC Live” u shprehën se Shqipëria me resurset që ka nuk duhej të ishte në të njëjtat kushte me ato të vendeve që varen nga importimi i energjisë elektrike.

Sipas tyre, kemi të bëjmë me një keqmenaxhim të situatës dhe tashmë do të shohim pasojat.

Fatos Çoçoli ekspert i ekonomisë, ndërsa tregoi se çmimi për blerje e energjisë elektrike ka arritur shifra rekord që tani, tha se momentalisht konsumatori nuk e ndjen krizën, por ajo është ndierë në buxhetin e shtetit dhe kjo e detyroi Ramën që të dalë në deklaratë për mediat në fundjavë.

Skenari më i keq sipas tij është që të mos kemi energji të disponueshme për ta blerë në dhjetor dhe që të nisin kufizimet.

Nga ana tjetër, Gjergj Buxhuku sheh dy mundësi për përballimin e kësaj krize.

“Kryeministri paralajmëroi një kosto të lartë që vetëm me dy mënyra mund të përballohet: rritja e çmimit ose rritja e borxhit publik, ose një kombinim i të dyjave. Duhet të japim zgjidhje emergjente, por duhet parë se përse arritëm në këtë pikë. Nuk i takonte Shqipërisë të ishte në këtë situatë.”

Ekspertët druhen se nëse preket çmimi fundor, është efekt domino që mund t’i kushtojë ekonomisë.

Sipas Vjoldi Danajt, roli i shtetit është që të kujdeset për qytetarët dhe sipas tij, është shumë emergjent krijimi i një fondi emergjence që do t’u vijë në ndihmë familjeve në nevojë. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!