Doktoraturë plagjiaturë? Muka: Nuk kam frikë, çdo gjë e kam fituar me djersë

schedule20:34 - 18 Dhjetor, 2018

schedule 20:34 - 18 Dhjetor, 2018

Ish-zv/ministri i Arsimit, Taulant Muka, është në qendër të vëmendjes së mediave kohët e fundit. Ai ka publikuar plagjiaturat e doktoraturave të kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi dhe disa ministrave dhe ish-ministrave në vend, ndërkohë disa media kanë publikuar shkrime se ai vetë ka doktoraturë plagjiaturë. I ftuar në emisionin “Provokacija”, Muka kishte marrë me vete edhe doktoraturën e tij, ku deklaroi se shkrimet kundër tij janë shkruar nga një ngelës. Ai bëri me dije se studimi i tij është publikuar në revistat shkencore më të mira të botës.

Taulant Muka: Njerëzit këtu janë bërë me hije sepse politika e 28 viteve e përbalt individin e aftë. Sot pashë në media, në faqe të parë të një gazete, një media që në 24 orë ka nxjerrë 5 fletërrufe që unë paskam doktoraturë plagjiaturë. Dhe dukej shkrimi që ishte shkrimi i një ngelësi.

Mustafa Nano: Pse nuk e thua emrin e gazetës?

Taulant Muka: Shqiptarja.com ose Report TV. Ja ku është doktoratura ime. E kam mbaruar në Ersamus në Holandë. 13 artikuj dhe nuk janë këto doktoraturat që janë thjeshtë shkrime historie, por janë 13 artikuj të publikuara në revistat shkencore më të mira të botës, ku Jama është një prej tyre ku çdo mjek do të ëndërronte  të publikonte. Këto fletërrufe unë nuk i kam frikë dhe e di pse nuk i kam frikë? Sepse çdo gjë e kam fituar me djersë. E kam fituar me aftësinë time. Kam pasur dy prindër të cilët kanë investuar te mua jashtëzakonisht. Dhe ata njësoj si unë çdo gjë e kanë fituar me djersë. Nuk kanë marrë asgjë, vetëm i kanë dhënë këtij shteti që nuk përgjigjet për asgjë.

Në protestën e së hënës, një grup studentësh iu kundërvunë Mukës duke e penguar që të flasë. Ish-zv/ministri u shpreh se personat që i dolën kundër janë militantë të LSI-së.

“Unë e tregova me foto. Ishin disa militantë të LSI-së sikurse isha në një studio tjetër dje, më janë vënë të gjithë militantët kundër. Pse? Sepse unë jam kundër sistemit, kundër të padiplomuarve. Unë nxorra dhe plagjiaturën e Monika Kryemadhit, nxorra plagjiaturat e ministrave majtas dhe djathtas dhe ata kanë frikë nga kjo. Rrjedhimisht do tentojnë gjithçka, por unë nuk trembem. Jam dhe do i vazhdoj asaj kauze që kam për arsimin. Prandaj jam atje me studentët, për t’i ndihmuar pasi luftën e kam filluar para tyre”, u shpreh Muka./abcnews.al