Kosovë – Serbi: Fillon mbulimi i targave të makinave

schedule11:49 - 4 Tetor, 2021

schedule 11:49 - 4 Tetor, 2021

Nga mëngjesi i së hënës, shenjat shtetërore të targave të makinave që hyjnë nga Serbia në Kosovë dhe anasjelltas, mbulohen me letër ngjitëse.

Kjo shënon edhe fillimin e zbatimit të pikës së dytë të marrëveshjes së javës së kaluar të arritur midis palëve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, për uljen e tensioneve në veriun e Kosovës.

Sipas marrëveshjes, letrat ngjitëse do të përdoren deri në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare dhe një grup punues do të fillojë më 21 tetor përpjekjet për të gjetur një zgjidhje të përhershme.

Policia e Kosovës tha se zbatimi i marrëveshjes ka filluar në nivel vendi, në të gjitha vendkalimet kufitare.

Të shtunën forcat paqeruajtëse të KFOR-it u vendosën në vendkalimet kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak, duke i dhënë fund bllokimit të tyre për gati dy javë me radhë.

Tensionet përfshinë veriun e Kosovës më 20 shtator pasi që serbët lokal dhe Beogradi reaguan me zemërim ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës, për të zbatuar reciprocitetin për përdorimin e targave të makinave.

Qeveria vendosi që nga 20 shtatori, makinat që hyjnë nga Serbia në Kosovë, duhet të marrin targa të përkohshme, njësoj sikundër veprohet në Serbi me makinat nga Kosova për më shumë se dhjetë vjet me radhë. Ajo dërgoni atje njësitë e posaçme për të siguruar zbatimin e vendimit.

Protestuesit serbë vendosën barrikada në rrugë ndërsa Beogradi ngriti shkallën e gatishmërisë ushtarake.

Të enjten palët arritën në Bruksel një marrëveshje trepikëshe, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, pika e parë e së cilës parashihte atë që edhe ndodhi gjatë të shtunën– largimin e barrikadave dhe njësive të posaçme të policisë nga vendkalimet kufitare.

Marrëveshja e së enjtes u përshëndet nga diplomatët perëndimorë, ndërsa u kritikua ashpër nga partitë opozitare në Kosovë, të cilat thanë se me këtë, qeveria e Kosovës hoqi dorë nga sovraniteti në veriun e vendit.

Marrëveshja e 30 shtatorit uli tensionet, ndërmjet palëve, por zhvillimet para saj pasqyruan mospajtimet e thella ndërmjet Kosovës, që ka shpallur pavarësinë më 2008 dhe Serbisë e cila kundërshton shtetësinë e saj. Për dhjetë vjet me radhë të dyja palët janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, që është kusht për integrimet evropiane. Por, përparimi është ende i paktë. /VOA/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!