Shqipëria me popullsi më të re në moshë se BE, por po plaket me ritme të shpejta

schedule07:42 - 4 Tetor, 2021

schedule 07:42 - 4 Tetor, 2021

Një përllogaritje e fundit e Eurostat tregon se Shqipëria ka raportin e varësisë së të moshuarve (raporti i popullsisë 65+ me popullsinë 15-64 vjeç) nga më të ulëtat në Europë, çka tregon se vendi ende ka një popullsi të re në moshë. Por procesi i plakjes në vendin tonë po ndodh me ritme shumë më të shpejta se në BE.

Raporti i varësisë se të moshuarve në BE është rritur ndjeshëm në 20 vitet e fundit. Në vitin 2001, varësia e të moshuarve ishte 25.9%, që do të thotë se kishte pak më pak se katër të rritur në moshë pune (20-64) për çdo person të moshës 65 vjeç e lart. Më 2020, raporti u rrit në 34.8%, që do të thotë se kishte pak më pak se tre të rritur në moshë pune për çdo person të moshës 65 vjeç ose më shumë.

Në Shqipëri raporti i varësisë së moshuarve në vitin 2000 ishte 11,9 % ndërsa në vitin 2021 arriti në 22.3%.

Në Shqipëri treguesi për 20 vite u zgjerua me 10.4 pikë përqind (pp) ndërsa në BE me 8.9 pp.

Në BE raportet më të larta të varësisë së të moshuarve  ishin në Gjermaninë Lindore, Greqi, Spanjë, Francë, Itali, Portugali dhe Finlandë. Shumica e këtyre rajoneve ishin kryesisht rurale, malore ose relativisht të largëta, ku rinjtë lënë rajonin për të vazhduar studimet ose për të kërkuar punë në zonat urbane.

Evrytania, një rajon malor në Greqinë qendrore, regjistroi raportin më të lartë të varësisë nga të moshuarit (78.3%). Ky rajon u pasua nga rajoni belg veriperëndimor i Arr. Veurne (64.6%) dhe rajoni gjerman i Suhl, Kreisfreie Stadt (61.3%).

Në të kundërt, raportet më të ulëta të varësisë në BE u regjistruan në rajonin francez “Mayotte” (6.1%) dhe Guyane (11.7%) dhe rajonin spanjoll të Fuerteventura (16.5%).

Gjatë tre dekadave të ardhshme, raportet e varësisë të pleqërisë parashikohen të rriten në të gjitha 1 169 rajonet e BE-së, me përjashtim të Harz, rajoni më perëndimor i Sachsen-Anhalt, në Gjermani.

Raporti i varësisë së të moshuarve në BE parashikohet të arrije në 56.7% deri më 1 janar 2050, çka do të thotë se do të ketë më pak se dy të rritur në moshë pune për secilin person të moshuar. Parashikimet tregojnë se raporti i varësisë së pleqërisë do të jetë rritur në të paktën 50% në shumicën dërrmuese (974) të rajoneve të BE-së.

Sipas projeksioneve të brendshme në vitin 2031 Shqipëria do të ketë 35 të moshuar për 100 persona.

Sipas projeksioneve të brendshme, në vitin 2031, qarku me raportin e varësisë më të lartë të të moshuarve do të jetë Gjirokastra me 45 të moshuar për çdo 100 persona të moshës 15 deri në 64 vjeç. Qarku me raportin e varësisë më të ulët të të moshuarve do të jetë Tirana me 30 për qind, për shkak të lëvizjes së popullsisë në moshë pune (15-64) drejt qendrave ekonomike dhe arsimore të Shqipërisë./Monitor

Burimi: Eurostat

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!