Champions-i është kthyer në duel anglo-gjerman

schedule22:46 - 18 Dhjetor, 2018

schedule 22:46 - 18 Dhjetor, 2018

Turi i dytë i Ligës së Kampionëve solli tre duele të mëdha të dy shteteve klasikë të futbollit. Anglia dhe Gjermania janë përballë, me një jehonë të veçantë për sfidën Liverpool-Bayern.

Nëse themi Champions këtë sezon, kjo përkthehet në dueli anglo-gjerman. Dy superfuqi të futbollit europian do të kenë një përballje të trefishtë të klubeve, në atë që mund të quhet “Lufta e Tretë Botërore” mes tyre. Padyshim, çifti më i madh ndër ta, madje më klasiku në gjithë kupat kontinentale këtë edicion, është ai Liverpool-Bayern.

Dy ekipe nga pesë herë kampionë të Europës, dhe lavdi të vërteta me shumë finale e histori që nuk harrohen. Liverpool-i doli i dyti në grupin e tij, e Bayerni i pari, por përshtypja është që anglezët janë në pozita më të mira.

“Duhet të jemi të lumtur për spektaklin, – tha trajneri i Bayernit, Niko Kovaç, – Liverpool-i ishte kundërshtari më i fortë i mundshëm, finalist vjet në Champions, kryesues i Premier Ligës dhe favorit për Championsin këtë vit. Gjithsesi, ne jemi Bayern-i”.

“Është një short shumë i rrezikshëm, – tha ambasadori i Liverpool-it, ish-legjenda Ian Rash, – Bayerni është fantastik. Jam i bindur se trajneri ynë, Jurgen Klopp, e njeh mirë Bayernin, po ashtu është gjerman. Kjo mund të jetë vendimtare”.

Dy klubet e mëdhenj janë ndeshur 7 herë në kupat e Europës. Në vitin 1971, Liverpooli është kualifikuar në Kupën e Panaireve, ish-Kupa UEFA, e po atë vit, Bayerni u kualifikua në Kupën e Kupave. Në 1981, u ndeshën në gjysmëfinale të Kupës së Kampionëve, me anglezët që kaluan në finale me gol në fushë kundërshtare.

Në 2001, luajtën mes tyre Superkupën e Europës, fituar 3-2 nga Liverpooli. Më shumë në favor të gjermanëve, dueli tjetër, Tottenham-Dortmund. Këtë sezon, Borusia duket tepër në formë duke shkëlqyer në Champions, e duke kryesuar bindshëm Bundesligën, me 9 pikë më shumë sesa Bayerni.

Tottenham-i është po ashtu i fortë, veçse në vend të pestë në Premier Ligë, dhe me më pak përvojë europiane. Gjithsesi, vjet në Championas, anglezët i fituan të dyja ndeshjet në grup ndaj Dortmundit. Trajneri i gjermanëve, Favre, vlerëson se “shanset janë të barabarta, dhe Totenhemi është një skuadër me shumë përvojë dhe cilësi, ndaj duhet të mos kemi iluzione”.

Mancheter City shihet si favorit i madh ndaj Schalkes. Skuadra nga Gelsenkirsheni po kalon një sezon të vështirë, pavarësisht kualifikimit në Champions. Të mbiquajturit “Blutë Mbretërorë” apo “Minatorët” kanë pësuar humbje pas humbjeje në Bundesligë dhe ndodhen pranë zonës së rënies nga kategoria, aq sa edhe tifozët besnikë i kanë dalë kundër.

Ekipi i Guardiolës është një nga favoritët në Ligën e Kampionëve, dhe po ashtu në Premier Ligën angleze, por rejtori sportiv i City-t, Çiki Begiristain, komentoi shortin duke thënë duhet pasur kujdes lojën e gjermanëve në zonën e rreptësisë.

“Skuadrat gjermane janë të forta fizikisht, dhe ne duhet të bëjmë kujdes në zonën e rreptësisë, – tha ai, – duhet të ruajmë zotërimin e topit”.

Në histori, City është ndeshur dy herë me Schalken, dhe është kualifikuar edhe në 1970 në Kupën e Kupave, edhe në 2008 në Kupën UEFA./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!