Me anë të një letre zyrtare Brukseli i bën të qartë kryeministrit të Kosovës Haradinaj se dialogu me Serbinë drejtohet nga presidenti Thaçi. Gjithashtu aty shkruhet se vendimet e njëanshme dëmtojnë atë që është rritur deri tani nga ky dialog.
Mediat në Kosovë kanë publikuar një letër zyrtare dërguar kryeministrit Ramush Haradinaj nga përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, komisionerja për tregti, Sesilia Malmstrom, si dhe komisioneri Johannes Hahn. Në letër bëhet e qartë se dialogu Kosovë – Serbi nga pala kosovare udhëhiqet nga presidenti Thaçi.
Përfaqësuesit e BE-së në këtë letër shkruajnë se rezoluta e miratuar nga Kuvendi i Kosovës është një zhvillim i rëndësishëm dhe do të kontribuojë për ta forcuar peshën e autoriteteve të Kosovës dhe do të duhej të mundësonte lehtësimin, përshpejtimin e vazhdimit të procesit në mënyrë konstruktive, në kuadër të organizimit aktual të Dialogut të Nivelit të Lartë.
“Ne e mirëpresim atë dhe e konsiderojmë si një input në kuadër të qëndrimeve të Kosovës që do të shprehen nga presidenti i saj në dialogun aktual, që përbën për BE-në kornizën e vetme reale për adresimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, thuhet në letrën e përfaqësuesve të lartë evropianë. Ata e akuzojnë Haradinaj se me vendimet e njëanshme është duke rrezikuar përparimin që është arritur në këtë dialog.
“Ne fuqimisht nuk pajtohemi me vlerësimin tuaj se dialogu po ngecë. Përkundrazi, dialogu i udhëhequr nga dy presidentët po shënonte dhe ka shënuar progres të qëndrueshëm. Ne e kemi ndarë këtë vlerësim me liderët e BE-së në Këshillin Evropian këtë dhjetor dhe kemi marrë mesazhe inkurajuese të përkrahjes”, thuhet në këtë letër.
Përfaqësuesit evropianë shkruajnë se veprimi i njëanshëm apo deklaratat në kohë jo të duhur, nga cilado palë, mund të jenë vetëm të dëmshme dhe do të ngadalësojnë progresin që mund të arrihet brenda kornizës së dialogut./abcnews.al