Lezhë, kopshti i fëmijëve përfshihet nga flakët

schedule08:52 - 17 Dhjetor, 2018

schedule 08:52 - 17 Dhjetor, 2018

Godina ku janë akomoduar fëmijët e kopshtit “Besëlidhja” në Lezhë u përfshi nga flakët mëngjesin e sotëm. Fatmirësisht nuk ka të lënduar nga ngjarja. Shkak për rënien e zjarrit dyshohet mbingarkesa në rrjet pasi në këtë ndërtesë ndodhen edhe nxënësit e shkollës profesionale të qytetit.

Një zjarr përfshiu mëngjesin e së hënës menzën e një godine në Lezhë. Aty janë akomoduar 250 fëmijë të kopshtit Besëlidhja si dhe nxënësit konviktorë të shkollës profesionale. Flakët ranë fillimisht në katin e parë të ndërtesës trekatëshe rreth orës 6:20 minuta. Kjo krijoi panik e frikë për shkak se në godinë ishin fëmijët që sapo kishin mbërritur në kopsht. Situata u normalizua shpejt falë ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse. Kurse fëmijët u dërguan në shtëpitë e tyre. Drejtori i arsimit në Bashkinë e Lezhës Ardian Laçi, thotë se shkak për zjarrin mund të jetë bërë mbingarkesa në rrjet.

Ardian Laçi, Drejtor i Arsimit në Bashki: “Si rezultat i një mbingarkese të rrjetit elektrik. Kemi pasur një defekt në orët e para të mëngjesit menjëherë kemi marrë të gjitha masat për të krijuar sigurinë ndaj fëmijëveqë të mos ketë probleme me shëndetin e tyre dhe tani po verifikohet situata. Sa më shpejt do të bëhet e mundur rikthimi në gjendjen normale.”

Godina nuk përmbush asnjë kusht për të qenë një kopësht fëmijësh. Ndërsa për objektin e ri po punohet  prej 5 vitesh./abcnews.al