Sistemi bankar dha afërsisht 20 miliardë lekë kredi të re gjatë muajit gusht, në rënie me 22% krahasuar me të një viti më parë.
Edhe gushti konfirmoi tendencën e muajve të mëparshëm, të një huadhënieje më të ngadaltë për bizneset dhe një ecurie më pozitive në segmentin e individëve. Kredia e re për bizneset pësoi rënie me 29% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa për individët kredia e re ishte sërish në rritje, me 10% më shumë kundrejt gushtit 2020.
Kreditimi i ekonomisë deri tani gjatë këtij viti është në nivele më të larta krahasuar me vitin e kaluar. Sipas Bankës së Shqipërisë, në tetë muaj bankat kanë disbursuar rreth 133.6 miliardë lekë kredi, 5.3% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020. Rënia e muajit gusht e ka përgjysmuar ritmin e rritjes krahasuar me shtatëmujorin. Edhe për tetëmujorin, kontributi në rritje ka ardhur i gjithi nga individët, ku kredia e re është rritur me 50%, ndërsa për bizneset kredia e re paraqitet në rënie me 10%. Megjithëse kredia e re është në rritje krahasuar me vitin e kaluar, ajo ende nuk ka arritur nivelet e periudhës përpara pandemisë. Po të përjashtojmë vitin 2020, kredia e re për ekonominë është në vlerat më të ulëta që prej vitit 2016.
Kredia për individë po rritet me ritme të larta, e mbështetur sidomos nga kredia për blerjen e banesave. Por, në segmentin më të madh të tregut, atë të bizneseve, huadhënia ende është rimëkëmbur plotësisht. Të dhënat tregojnë se këtë vit bizneset po marrin sidomos më pak kredi për likuiditet. Nga ana tjetër, të statistikat tregojnë se depozitat e bizneseve po vazhdojnë rritjen edhe këtë vit, çka sinjalizon se ndoshta nevoja për likuiditet shtesë nga sektori bankar është më e ulët.
Megjithëse kredia e re për gushtin pësoi rënie, stoku i kredisë shënoi rritje me rreth 2.7 miliardë lekë krahasuar me muajin korrik. Në fund të muajit gusht, portofoli total i kredisë për ekonominë arriti në 631.8 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë rritja e portofolit të kredisë ka arritur nivelin 6.6%, nga 6.5% që kishte qenë rritja vjetore muajin e kaluar. Pavarësisht se kredia e re ende nuk ka arritur nivelet e para pandemisë, teprica e kredisë paraqitet në rritje të qëndrueshme.
Kjo rritje po ndikohet nga pakësimi i fshirjes së kredive të humbura, ristrukturimet e aplikuara pas pandemisë, që sollën një amortizim më të ngadaltë të portofolit, por edhe nga ndryshimet në strukturën e kredisë sipas produkteve. Në dy vitet e fundit, kredia e re po shkon sidomos për qëllime afatgjata investimi, kryesisht në pasuri të paluajtshme. Kjo tendencë po e ndryshon strukturën e portofolit në favor të kredisë më afatgjatë dhe që siguron rritje më të qëndrueshme./Monitor