Disa sapo e kanë kaluar Covid –in, të tjerë kanë probleme shëndetësore apo janë në pritje të një fëmije. Një pjesë e mësuesve për arsye të ndryshme hezitojnë të vaksinohen me detyrim kundër koronavirusit.
Sindikata e Pavarur e Arsimtarëve të Shqipërisë ka dalë në mbështetje të tyre dhe i kërkon qeverisë t’i mbulojë shpenzimet për tamponët përmes të cilëve duhet të vërtetojnë çdo javë se nuk janë të infektuar.
Numri dy i Sindikatës së Arsimtarëve Isa Halilaj apelon për forcim të rolit të mjekut të familjes.
“I njeh të gjitha sëmundjet e pacientëve të vet. Do të thotë, duhet të jetë mjeku i familjes ai që duhet të vendosë, do të vaksinohet apo jo.”
Aktualisht më shumë se gjysma e arsimtarëve në sistemin publik dhe privat kanë marrë një apo dy doza anti-Covid.
Por a duhet të paraqesin test negativ ata mësues që kanë marrë vetëm një dozë të vaksinës?
“Nga një vlerësim që u bë nga Ministria e Arsimit dhe Ministria e Shëndetësisë kishim një nivel prej 66% të dozave të para tek mësuesit e shkollave fillore dhe të mesme. Gjithsesi ka një rritje të qëndrueshme këtë javë si për doza të para edhe për doza të dyta…Synimi ynë është të kalojmë mbi 70 për qind për të gjithë.”
Që pas 30 shtatorit mësuesit nuk mund të paraqiten në shkollë pa kartë vaksinimi apo pa tampon. Këtë të fundit duhet ta kryejnë privatisht një herë në javë. /abcnews.al./