Me dhjetëra njerëz, pa maskë e distancë, shihen në disa tubime të partive politike gjatë fushatës për zgjedhje lokale.
Fushata zgjedhore e partive politike për zgjedhjet komunale të 17 tetorit në Kosovë, ka nisur më 16 shtator.
Që nga nisja e fushatës, në disa fotografi të postuara në rrjete sociale, shihen kandidatë të partive politike për kryetar të komunave të ndryshme, që nuk po i respektojnë masat kundër COVID-19.
Në llogarinë e tij në Facebook kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Skenderajt, Fadil Nura, shihet me strukturat e kësaj partie të mbledhur në një takim, ku nuk respektohen masat mbrojtëse.
Ky takim është mbajtur në fshatin Rezallë të Skenderaj më 12 shtator, pesë ditë para se të fillonte zyrtarisht fushata.
Por, ata nuk janë gjobitur.
Drejtoria e Inspektoratit Komunal në Komunën e Skenderajt, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se nuk është në kompetencë të tyre mbikëqyrja e masave kundër pandemisë.
Kjo i takon Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).
Por, as ky institucion nuk ka shqiptuar ndonjë gjobë për partitë politike, deri më datën 22 shtator.
“Ne si autoritet mbikëqyrës për zbatimin e masave anti COVID-19, nga ana e kontrollit zyrtar, nuk kemi hasur në ndonjë organizim të natyrës së mbajtjes së fushatës elektorale, por kurdo që inspektorët hasin në veprime të cilat bien ndesh me masat, shqiptohen gjoba”, thotë zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi për Radion Evropa e Lirë.
Me masat e qeverisë të cilat janë në fuqi, ndalohen grumbullimet në ambiente të mbyllura mbi 20 persona. Në këto vende, organizatori obligohet të siguroi distancë fizike prej 1.5 metër.
Në ambientet e jashtme, po ashtu ndalohet grumbullimi i njerëzve mbi 50 persona. Edhe në këtë rast vlen rregulli i mbajtjes së distancës fizike.
Shkelja e këtyre masave është e dënueshme me Ligjin kundër COVID-19. Ky ligj parasheh dënime nga 35 deri në 2,000 mijë euro.
Pa maska dhe distancë, është parë në takime me qytetarë edhe kandidati për kryetar të Prishtinës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj.
Por, edhe në komunën e Prishtinës, drejtori i Drejtorisë së Inspektoratit Adonis Tahiri, thotë se nuk kanë shqiptuar asnjë gjobë.
“Deri tani nuk kemi hasur ndonjë rast apo ndonjë njoftim nga qytetarët, apo publikim nga subjektet politike që kanë mbajtur tubime, por në rast se do të ketë, do të shqiptojmë gjobat njësoj si në fushatën e kaluar”, thotë Tahiri.
Në fushatën për zgjedhjet e kaluara të përgjishme, të mbajtura më 14 shkurt, komuna e Prishtinës kishte shqiptuar 21 gjoba për partitë politike të cilat kishin shkelur masat kundër COVID-19.
Eugen Cakolli njohës i zhvillimeve zgjedhore në Kosovë, thotë se subjektet politike janë duke hezituar të organizojnë takime të mëdha, siç ka pasur më parë, duke ditur se mund të gjobiten.
Derisa arsyeja se pse nuk ka pasur ndonjë gjobë, Cakolli thotë se subjektet politike janë treguar të kujdesshme në postimet të cilat i kanë bërë në rrjete sociale.
“Në postimet që janë duke bërë partitë politike apo kandidatët për kryetarë, vërehet numri i saktë i personave të lejuar në tubime, por, nëse i shtohet edhe personi që ka shkrepur fotografinë, lë të kuptohet se kemi të bëjmë me shkelje të masave”, thotë ai.
Radio Evropa e Lirë e ka pyetur Policinë Kosovës nëse deri më tani ka parandaluar ndonjë tubim partiak, ku nuk janë respektuar masat. Por, ata kanë thënë se do të marrin masa ndaj çdokujt pa dallim, pa treguar nëse ka ndërhyrë në ndonjë aktivitet politik.
Nga data 30 gusht deri më 21 shtator 2021, policia ka bërë të ditur se ka shqiptuar rreth 50.000 fletëparaqitje për kundërvajtje, si dhe janë dhënë rreth 19.000 vërejtje për shkelësit e Ligjit Anti- COVID-19./ REL