Ngritja e KLGJ, BE dhe SHBA mbështesin reformimin e drejtësisë

schedule15:45 - 12 Dhjetor, 2018

schedule 15:45 - 12 Dhjetor, 2018

BE dhe SHBA mbështesin fort ngritjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor, si nga organet e reja të sistemit të drejtësisë në vendin tonë. Gjatë mbledhjes së sotme të gjyqtarëve folën ndër të tjera edhe ambasadori i BE në Tiranë dhe zv/ambasadorja e SHBA.

Hapat që po hidhen në reformimin e sistemit të drejtësisë duhet të nxjerrin në pah që gabimet e së shkuarës të shërbejnë si mësim për të ardhmen. Është ky sugjerimi i Ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj e pranishme në punimet e Konferencën e Gjyqtarëve.

Etilda Gjonaj, ministre e Drejtësisë: “Duke reflektuar për problematikat dhe mangësitë e vërejtura të deritanishme të Këshillit të Lartë të Drejtësisë me ndryshimet kushtetuese dhe legjislacionin e ri të reformës në drejtësi, kemi ndërtuar kuadrin e nevojshëm ligjor, që Këshilli i Lartë Gjyqësor të garantojë atë pavarësi reale të gjyqësorit, mbrojtjen e të drejtave të gjyqtarëve.”

Zbatimi i reformës në drejtësi do të rikthejë vlerat dhe parimet mbi të cilat duhet të zbatohet një sistem drejtësise i pavarur nënvizoi ministrja Gjonaj.

Duke sjellë në vëmendje mbështetjen logjistike dhe financiare të qeverisë, ministrja Etilda Gjonaj u kujtoi se një godinë e re i pret anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, por edhe paga të dyfishuara.

“Duke filluar nga muaji tjetër hyn në fuqi sistemi i ri i pagave dhe trajtimi i ri financiar për gjyqtarët dhe prokurorët duke sjellë të paktën dyfishimin e pagave tuaja si edhe duke rritur garancitë dhe përfitimet e tjera financiare.”

Këto janë mbështetje për punën e gjyqtarëve por akoma më e rëndësishme është miratimi në mënyrë demokratike i ligjeve, tha kryetari i Gjykatës së Lartë Xhevahir Zaganjori.

Xhevahir Zaganjori, kryetar i Gjykatës së Lartë: “Ekziston gjithnjë rreziku që shumica demokratike, të shpërfillë e ndoshta të nëpërkëmbë përmes formave dhe mënyrave të ndryshme, të drejtat e pakisës apo funksionimin normal të pushteteve të tjera, veçanërisht të atij gjyqësor.”

E kjo është e rrezikshme në të ashtëquajturat demokraci të reja tha kreu i Gjykatës së Lartë.

“Ekziston gjithnjë rreziku i devijimit të dukshëm demokratik, sidomos në rastet kur ekzëkutivi i fuqishëm kontrollon praktikisht e tërësisht gjithçka, edhe vetë legjilativin. Pasi shumica parlamentare që formalisht e ka zgjedhur atë është njëkohësisht në varësinë e tij në nivel partiak.”

Koha e ndryshimit në sistemin e drejtësisë ka ardhur e sot merr të gjithë mbështetjen e Bashkimit Evropian tha Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca.

Luigi Soreca, ambasador i BE në Tiranë: “BE dhe vendet anëtare mbështeten në ndjenjën tuaj të përgjegjësisë dhe në ndjenjën tuaj të historisë në këtë moment shumë të rëndësishëm. Votat tuaja sot dhe veprimet tuaja në ditët që vijojnë do të jenë vendimtare për të ardhmen e këtij vendi.”

Gjyqtarët morën edhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nëpërmjet zëvendës ambasadores Leyla Moses-Ones.

Leyla Moses-Ones, zv/ambasadore e SHBA: “Këshili i Lartë Gjyqësor i ri do të sjellë transparencë e llogaridhënie, por më e rëndësishmja do t’ju ndihmojë të rifitoni besimin e publikut. Ju duhet ta përqfoni këtë mundësi, mund të largoheni nga kjo sallë si një gjykatës që ka marrë vendimin për ta ndryshuar të ardhmen e Shqipërisë.”/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!