Anglezët fituan duelin ndaj italianëve në ndeshjet vendimtare në Champions. Liverpool-i dhe Tottenham-i u kualifikuan, ndërsa Napoli dhe Interi u eleminuan.
Dy skuadrat nga vendi ku u shpik futbolli modern do të jenë në raundin e dytë të Ligës së Kampionëve. Liverpool-i dhe Tottenham-i ia dolën në ato që ishin finale të vërteta për kualifikim, duke fituar sfidat me skuadrat italiane, Napoli dhe Inter. Bashkë me dy skuadrat e Manchester-it, City e United, kjo do të thotë se Anglia i kualifikoi që të gjithë përfaqësuesit e saj.
Sidoqoftë, dramat ishin të mëdha, në tre stadiume, në “Anfild”, në “Camp Nou” dhe në “San Siro”. Liverpool-i fitoi ndaj Napolit 1-0 falë golit të të zakonshmit Mohamed Salah, në minutën e 34-ët. Të kuqtë e Jurgen Klopp-it e merituan suksesin pasi luajtën më mirë, krijuan më shumë raste, mbajtën më shumë topin dhe gjuajtën shumë më tepër drejt portës kundërshtare.
Gjithsesi, u desh mrekullia e portierit Alison në sekondat e fundit që t’i shpëtonte, ndërsa sulmuesi liverpulas, Sadio Mane, humbi raste të pabesueshëm. Në krye të grupit C doli, megjithatë, Paris SG, i vetmi që ia doli të fitonte 4-1 në stadiumin “Marakana” të Crvena Zvezdës.
Në grupin B nuk pati më pak emocione. Interi fillimisht ishte i kualifikuar, pasi Barcelona shënoi ndaj Tottenham-it me anë të Usman Dembelesë. Në një ndeshje pa Messin e Suarezin, ishte francezi çamarrok që shënoi një supergol, pasi rikuperoi topin dhe vrapoi për 50 metra.
Gjithsesi, pa kaluar 6 minuta, PSV Eindhoveni shënoi në Milano duke e nxjerrë virtualisht Interin nga Championsi. Në pjesën e dytë, kapiteni Ikardi barazoi në 73’, duke i dhënë kualifikimin momental zikaltërve, por Totenhemi barazoi vonë, në 85’ me anë të Lucas Mourës, e duke mos i dhënë kohë italianëve për të reaguar. Kështu, Interi i Spalletit mbeti jashtë Championsit, duke sjellë një zhgënjim të madh për tifozët që prisnin shumë më tepër, pas 6 vitesh mungese në këtë garë.
Pas ndeshjeve të fundit në katër grupe, u përcaktuan të 8 ekipet që kaluan turin. Këta janë Dortmundi, Atletiko e Madridit, Barcelona, Tottenham-i, Paris SG, Liverpool-i, Porto dhe Shalke. Përpara ndeshjeve që luhen sonte, të kualifikuar janë Bayerni, Ajaksi, Mançester City, Reali i Madridit, Roma, Juventusi, Manchester United./abcnews.al