Kryeministri Rama propozon një pakt tre-vjeçar për universitetin, nisur nga tetë kërkesat e paraqitura nga studentët në protestë prej 5 Dhjetorit. Në studion e Top Show, përballë disa studentëve, shefi i qeverisë insistoi se për këtë, studentët duhet të ulen e të dialogojnë me kryeministrin.
Sipas tij çështja e tarifave mund të zgjidhet para vitit të ri, ndërsa kërkesat e tjera në një moment të dytë, sipas një kalendari kohor, zbatimin e të cilit, mund ta monitorojnë vetë studentët. Nisur nga problematikat e ndryshme të universiteteve, shefi i qeverisë tha se baza e dialogut duhet të jenë 8 pikat e shpallura, e më pas të diskutohen kërkesat e vecanta për çdo universitet.
Por kryeministri nënvizoi se duhet parë vetëm interesi i studentëve, protestën e të cilëve e ndau në 4 komponetë, që tha se i kanë rënë në sy. Pas skadimit të afatit të studentëve, Rama tha se në protestë, u evidentuan 3 komponentë të strukturuar: PD e LSI që kanë interes të përmbysin qeverinë dhe Organizata Politike, për të cilën tha se nuk ka lidhje me vizionin e qeverisë. Komponenti i katërt sipas kryeministrit, janë studentët që kanë vetëm problemet e tyre, e që duhen dëgjuar.
Në mënyrë të përsëritur, kryeministri theksoi se pakti për universitetin është ftesa e tij për çdo student, që është në protestë për veten e tij e jo për aktorë të tjerë./abcnews.al