Interi dhe Tottenhami luftë në distancë për kualifikimin

schedule12:48 - 11 Dhjetor, 2018

schedule 12:48 - 11 Dhjetor, 2018

Interi dhe Tottenhami kërkojnë sot kualifikimin për në turin e dytë të Ligës së Kampionëve. Italianët duhet të fitojnë ndeshjen e tyre dhe të shpresojnë që anglezët të mos triumfojnë në Barcelonë.

Duelin e kanë sërish së bashku, por këtë herë në distancë. Interi e Tottenhami luajnë sot fatet e tyre në Ligën e Kampionëve në orën 21:00, me italianët që presin PSV Eindhovenin në “San Siro”, dhe anglezët që vizitojnë Barcelonën në “Camp Nou”.

Zikaltërit duan fitore me holandezët, diçka që edhe mund ta arrijnë, por u duhet edhe që Barça të mos lejojë Tottenhamin që të fitojë. Trajneri Luciano Spaleti përpiqet ta shohë gotën gjysmë plot, ndërsa Nainggolan nuk do të luajë.

“Do të jetë ndeshja më e rëndësishme e imja me Interin, – u shpreh ai, – është e qartë se nuk e kemi fatin tonë në duart tona, pasi varemi nga të tjerët, por unë kam besim në profesionalizmin e Barcelonës. Jam i kënaqur me ekipin tim, pasi jemi në kushte normale, që ne të kërkojmë kualifikim me PSV-në dhe Tottenhami me Barçën. Skuadra nuk ka probleme, thjesht të ruajë qendrueshmërinë për 90 minuta”.

Në ndeshjen tjetër, Tottenhamit normalisht i duhet fitorja në “Camp Nou”. Barcelona ka dy mungesa, atë të portierit Ter Stegen, dhe të sulmuesit Luis Suarez. Gjithsesi, trajneri i Tottenhamit, Mauricio Pochettino, nuk mendon se kjo e dobëson skuadrën katalanase.

“Barcelona ka cilësi të jashtëzakonshme në skuadër, – tha ai, – Ka lojtarë që mezi presin rastin të jenë në fushë, pasi është shumë e vështirë që të konkurrojnë me Mesin apo Suarezin. Natyrisht, mungesa e sigurt e Suarezit është një plus për ne. Gjithsesi, ne duhet të bëjmë punën tonë, jo të mendojmë se çdo të bëjë kundërshtari. Jam optimist se mund t’ia dalim edhe në fushën e Barcelonës”.

Nuk dihet nëse trajneri Valverde do të hedhë në fushë Mesi-n, Pique-në, Busquets-in apo Rakitic-in, në një ndeshje që ka vlerë vetëm për Tottenhamin apo për Interin, pasi katalanasit janë jo vetëm të kualifikuar, por edhe me vendin e parë në grup, të siguruar.

Trajneri i vendasve, Ernesto Valverde, e shtoi edhe më shumë misterin, kur u shpreh në konferencën për shtyp, se “do ta merrni vesh vetëm përpara ndeshjes, më herët nuk mund t’iu them gjë”.

Walker-Piters bën debutimin në Champions për Spursat, pasi mbrojtësit e krahut Tripier dhe Orie janë të dëmtuar. Barcelona kryeson grupin B me 13 pikë, Tottenhami e Interi kanë nga 7, ndërsa PSV e eleminuar me vetëm 1 pikë./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!