Perëndimi është ndarë sa i takon Venezuelës, vendit latin të drobitur nga kriza politiko-ekonomike. Ndërsa Uashingtoni nuk lëviz nga opsioni i sanksioneve, BE ka zgjedhur një qasje tjetër duke krijuar hapësira për dialog. Për Brukselin, thellimi i krizës së Venezuelës mund të ketë pasoja të rrezikshme.
Bashkimi Europian ka zgjedhur një qasje ndryshe nga ajo e Shteteve të Bashkuara ndaj Venezuelës, në një kohë kur vendi latin është i përfshirë nga kriza ekonomike dhe politike. Në një mbledhje të zhvilluar me ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare, Përfaqësuesja e Lartë Federica Mogherini ka bërë me dije se Brukseli po studion mundësinë e ngritjes së një grupi kontakti me Karakasin, që mund të ndihmojë në lehtësimin e një procesi politik nëse krijohen kushtet.
Në një komunikatë për shtyp të publikuar në faqen e Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së, thuhet se vendet anëtare kanë rikonfirmuar qëndrimin unanim sa u takon sanksioneve ndaj Venezuelës, por në të njëjtën kohë duke lënë të hapur mundësinë për dialog.
“Ndëshkimi pa shfrytëzuar një pistë politike mund të kthehet në një qasje të rrezikshme. Sanksionet duhen kombinuar gjithmonë me hapësirën për dialog dhe bashkëpunim”, ka deklaruar Mogherini.
Në njoftimin për shtyp thuhet më tej se përfaqësuesit e diplomacisë europiane kanë rënë dakord për të dalë me një qasje të përbashkët në emër të BE-së, në prag të fillimit të mandatit të dytë të presidentit Maduro, që nis më 10 janar 2019. Bëhet fjalë për një qasje ndryshe nga ajo e Shteteve të Bashkuara, që nuk lëvizin nga opsioni i sanksioneve dhe që kanë refuzuar disa herë kërkesën e Maduro për bashkëpunim. Në mungesë të një qasjeje pozitive nga Uashingtoni, presidenti Maduro është afruar me Rusinë e presidentit Putin./abcnews.al