Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka refuzuar të flasë në foltoren e Kuvendit për programin e qeverisë ”Rama 3”, në një kohë kur vetë kryeministri mungon në seancë.
Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla thirri katër herë rresht emrin e Lulzim Bashës për të folur në seancën por ai nuk bëri asnjë reagim ndërsa disa nga përfaqësuesit e PD replikuan me drejtuesen e seancës dhe kreun e grupit parlamentar të PS, Taulant Balla.
Replikat
Lindita Nikolla: Rregullorja ka përcaktuar rregullat të cilat unë i lexova. Vazhdojmë me rendin e ditës. Fjala për zotin Lulzim Basha.
Jorida Tabaku: Edhe kur miratohet një ligj i thjeshtë ministri duhet të jetë prezent. Unë e di që është një copë letre dhe nuk keni për të mbajtur asnjë premtim. Thërrisni kryeministrin që të mbrojë programin qeverisës.
Lindita Nikolla: Ju po përsërisni të njëjtën çështje. Vazhdojmë me seancën. Fjala për zotin Lulzim Basha
Gazment Bardhi: Personi që ka propozuar programin politik duhet të jetë i ulur atje. Çfarë pune më të rëndësishme ka Edi Rama se sat ë vijë të mbrojë atë që ka prezantuar.
Taulant Balla: Neni 110 që i referohen kolegët nuk kushtëzon asnjë deputet të qëndrojë përgjatë gjithë debatin në seancën plenare. Besoj që vitet që do vijnë pas shembullin e sotëm duhet ta kthejnë në standard. Kur unë kam qenë në opozitë nuk e kam pasur, që koha e kryetarit të opozitës është e barabartë me atë të kryeministrit. Për kalamajtë që nuk e mbajnë mend kjo është ndryshuar në vitin 2013. E gjithë qeveria është prezent.
m.v/abcnews.al


