Italia në dilemë për pasardhësin e trajnerit të kombëtares, Ventura. Ka katër kandidatë dhe një favorit për stolin, pas eleminimit nga Botërori.
Tetë vjet më parë, Xhan Piero Ventura, fliste kështu për postin e trajnerit të kombëtares.
Në një emision televiziv, një tifoz e pyet nëse do të donte të zgjidhe, dhe nëse do të thërriste Kasanon.
“Nëse më japin kombëtaren, do të të telefonoj menjëherë, le të bëjmë një pakt. Këto gjëra janë … sipas meje nuk do të ndodhë kurrë. Shpresoj që Kasanon ta thërrasin në kombëtare, pasi nëse më pret mua, do të plaket”.
Nuk do të ishte keq, i thotë drejtuesi i emisionit, një ide shumë tërheqëse.
“Po, po, dhe pastaj arrestojnë ata të Federatës”.
Presidenti i Federatës, Karlo Tavekio, nuk u arrestua kur e zgjodhi Venturën në kombëtare, dhe as kur i rinovoi kontratën në gushtin e këtij viti.
Gjithsesi, kjo nuk doli zgjedhje e lumtur, dhe nën drejtimin e Venturës, Italia nuk arriti dot finalet e Botërorit, për herë të parë në 60 vjet.
Opinioni publik kërkon tani jo vetëm shkarkimin e trajnerit, por edhe dorëheqjen e presidentit të Federatës.
Tavekio po përpiqet të veprojë shpejt, i penguar nga mosdorëheqja e trajnerit.
Pritet që zgjidhjen e kontratës ta bëjnë juristët, ndërsa kandidatët besohet se janë katër.
Konte, Mançini, Alegri dhe Ançeloti.
Për tifozët nuk ka asnjë dyshim se cili duhet të zgjidhet, duke e treguar këtë në sondazhin e realizuar nga “La Gazeta delo Sport”.
Shumica dërrmuese e tyre, gati 68 për qind, ishin në favor të Ançelotit.
Ish-trajneri i Bajernit, besohet se pëlqen të bëhet trajner i kombëtares.
Tashmë, i papunë, ai po e pret një mundësi të re, ndonëse mendohet se ka një kusht, dëshiron një kontratë 2-vjeçare, me të drejtë automatike rinovimi, pasi mendon të punojë në një projekt afatgjatë.
Padyshim, Ançeloti do të ishte një zgjedhje ideale.
Pesëdhjetë e tetë vjeçari ka fituar tri herë Championsin, me Milanin dhe me Realin, si dhe shumë tituj të tjerë kombëtarë e ndërkombëtare.
Gjithsesi, Italia duhet të nxitojë për Ançelotin, pasi besohet se atë e dëshiron edhe presidenti i Çelsit, Roman Abramoviç./abcnews.al