Atmosferë e shkëlqyer në Madrid, në prag të finales së Kupës Libertadores

schedule22:59 - 9 Dhjetor, 2018

schedule 22:59 - 9 Dhjetor, 2018

Do të luhet sot në Madrid, finalja vendimtare e Kupës Libertadores, mes River Plejtit dhe Boka Juniorsit. Dy skuadrat argjentinase u zhvendosën në Europë pas dhunës që shpërtheu në Buenos Aires.

Këto skuadra nuk duhej të bënin rrugë kaq të gjatë. River Plejti dhe Boka Juniorsi u detyruan të shkonin shumë larg Argjentinës, në kryeqytetin e Spanjës, Madrid. Pas fluturimit prej 10 000 km, dy skuadrat më të mëdha argjentinase, do të luajnë sot në orën 20:30, finale e dytë dhe përcaktuese të Kupës Libertadores. Arratisja u bë për shkak të dhunës së tifozëve të Riverit, që sulmuan autobusin e skuadrës kundërshtare, që po shkonte drejt stadiumit në Buenos Aires. Trajneri i Boka Juniorsit, Gijermo Barros Skeloto, ishte ende I tronditur nga ajo që ndodhi, dhe e pati të vështirë të fliste për ndeshjen.

Gijermo Skeloto, trajner i Boka Juniorsit: “Më vjen keq që këtë finale po e luajmë në Madrid. I gjithë futbolli argjentinas është I humbur, pas dhunës që ndodhi ditët e kaluara. Është shumë tronditëse që ne nuk jemi në gjendje ta luajmë një finale River-Boka në Argjentinë, dhe që po flasim për dhunën, në vend që të flasim për futbollin. Duhet ta shfrytëzojmë këtë rast për t’i bërë një reklamë pikërisht futbollit. Shpresoj që ta fitojmë trofeun”.

Trajneri I River Plejtit, Marselo Gajardo, u përpoq të ishte pak më brenda aspektit të futbollit.

Marselo Gajardo, trajner i River Plejtit: “Finalja do të jetë e vështirë, por ne kemi ardhur për ta fituar. Jemi përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme, dhe duam që t’i nderojmë tifozët tanë. Më shqetëson sidomos loja në ajër, por gjithsesi mendoj se duhet të fitojmë. Vendimi për ta luajtur finale në Madrid ishte absurd, dhe unë e kam të pamundur të shpreh plotësisht atë që ndjej. Sidoqoftë, le të përqëndrohemi tek ndeshja”.

Tifozë të të dyja skuadrave kanë mbushur rrugët dhe sheshet e Madridit. Plot 10 000 prej tyre kanë ardhur nga Argjentina me bileta, ndërsa 40 000 bileta u janë dhënë argjentinasve që jetojnë në Spanjë. Pjesa tjetër e atyre që do të hyjnë në “Santiago Bernabeu”, do të jenë njerëz të përzgjedhur nga Federata e Amerikës së Jugut, dhe nga aksionerët e Realit. Kupa Libertadores është kompeticioni më i madh i klubeve në Amerikën Latine, i njëjtë me Ligën e Kampionëve në Europë. Ndeshja e parë përfundoi 2-2, luajtur në stadiumin e Bokës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!