Pezullimi i punimeve në Unazën e Re, reagon ministri Gjiknuri

schedule13:27 - 8 Dhjetor, 2018

schedule 13:27 - 8 Dhjetor, 2018

Një ditë pas pezullimit të punës në lotin e parë të projektit të Unazës së Madhe të Tiranës nga ARRSH, ka reaguar edhe ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri.

Në një postim në rrjetet sociale, Gjiknuri thekson se autoritetet në qeverisjen e sotme po bëjnë detyrën. Ai theksoi se kompania e përfshirë në skandalin që u zbulua në media nuk ka marrë para nga buxheti i shtetit. Së shpejti do të vijë edhe verifikimi i autoriteteve amerikane dhe nëse konfirmon falsifikimin e dokumenteve, atëherë do të zgjidhet kontrata dhe rasti do të referohet në organet e drejtësisë.

Reagimi i plotë i ministrit Gjiknuri në Facebook:

Atyre që duan të bëjnë politikë me Unazën e Re dhe kujtojnë se gjetën shtegun e revolucionit, pasi u katandisën me 100 protestues profesionistë të Bashkisë Kamëz nga mbrapa, u them kaq:

Ndryshe nga ju që kur qeverisnit shisnit Shqipërinë me letra fallco, sot autoritetet e shtetit po bëjnë detyrën.

ARRSH ka pezulluar projektin për lotin nr.1.

Unë si ministër i jam drejtuar autoriteteve amerikane për verifikimin zyrtar të shqetësimit të bërë publik në media.

Kompania në fjalë nuk ka marrë asnjë qindarkë nga Buxheti i Shtetit dhe garancia e saj financiare do të sekuestrohet, në rast se dokumentet e paraqitura prej tyre në garë nuk janë autentike.

Në fillim-javën e ardhshme, presim përgjigjen e autoriteteve amerikane. Nëse përgjigja do të konfirmojë falsifikimin e dokumenteve nga kompania, atëherë padiskutim do të reagojmë menjëherë me zgjidhjen e njëanshme të kontratës dhe referimin e rastit pranë organeve të drejtësisë.

Ky është dallimi i madh mes nesh dhe jush. Ne nuk i fshihemi asnjë përgjegjësie shtetërore dhe as kemi gjë për të fshehur. E thënë ndryshe, shqetësimi juaj është si të shisni baltë për të mbuluar të kaluarën tuaj, ndërsa qëllimi ynë është si të hapim rrugët e zhvillimit të Shqipërisë që ju rrënuat./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!