Nga Erisa Zykaj
Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl ka prezantuar një raport mbi krimin e organizuar në Ballkan Perëndimor para komisionit të punëve të jashtme të Parlamentit Europian. Në këtë raport, euroeputeti Mandl thekson se krimi i organizuar dhe korrupsioni cënon jo vetëm besimin e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor në sistemin demokratik, por bëhet pengesë e rëndësishme për reformat demokratike dhe procesin e anëtarësimit në BE. Në raport thuhet, se mungesa e mundësive për punësim, korrupsioni, elementet e kapjes së shtetit, pabarazia dhe procesi i ngadalshëm i intergrimit europian janë ndër faktorët që i bëjnë shoqëritë e Ballkanit Perëndimor të prekshme nga krimi i organizuar,
Raporti ngre ndër cështjet primare nevojën për të çrrënjosur lidhjet politike dhe administrative me krimin e organizuar përmes garancive të qarta kundër korrupsionit dhe ndjekjes efektive të rasteve të profilit të lartë të korrupsionit. Në këtë aspekt, raporti i bën thirrje BE-së të rrisë mbështetjen për konsolidimin e administratave publike të bazuara në merita.
I bën thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor që të synojnë organizatat kriminale dhe jo rastet individuale dhe nxit autoritetet përkatëse të forcojnë mbrojtjen e informatorëve dhe sinjalizuesve për të rritur kapacitetin për të shpërbërë grupet e organizuara kriminale.
Raporti përshëndet transpozimin në legjislacionet kombëtare të rimëkëmbjes së aseteve nga krimi i organizuar dhe korrupsionit, por i bën thirrje juridiksioneve në rajon, që të vendosin konfiskimin e të ardhurave dhe instrumenteve të krimit si prioritet.
Vëren se lidhjet midis krimit të organizuar, politikës dhe bizneseve ekzistonin para shpërbërjes së Jugosllavisë dhe kanë vazhduar që nga vitet 1990. Në këtë drejtim, raporti Mandl bën thirrjen për hapjen e arkivave të ish -Jugosllavisë dhe, në veçanti, për të krijuar akses në dosjet e ish -Shërbimit Sekret Jugosllav (UDB) dhe Shërbimit Sekret të Ushtrisë Popullore Jugosllavisë (KOS), ashtu si dhe kërkon që dosjet t’i kthehen qeverive përkatëse nëse ata e kërkojnë këtë.
Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përshpejtojnë përpjekjet e tyre kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërkohë, që BE -së i kërkohet t’i japë përparësi transpozimit të saktë të instrumenteve kundër këtyre fenomeneve dhe të adoptojë një qasje më strategjike ndaj sfidave që krijon krimi i organizuar. Raporti nënvizon, se vetëm duke nxitur procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE mund të përmirësohet situata në rajon. Privimi nga kjo perspektivëd vetëm mund ta përkeqësojë situatën e krimit dhe korrupsionit në këtë rajon. /abcnews.al