Trump emëron kryeprokurorin e ri

schedule21:24 - 7 Dhjetor, 2018

schedule 21:24 - 7 Dhjetor, 2018

Presidenti Donald Trump ka emëruar prokurorin e ri të përgjithshëm të SHBA. Kreu i shtetit ka hequr dorë nga kandidatura që shihej si kërcënim për hetimet mbi ndërhyrjen ruse, duke zgjedhur një jurist të sprovuar që ka punuar pranë ish-presidentëve Reagan dhe Bush.

Presidenti amerikan Donald Trump ka emëruar William Barr në postin e prokurorit të përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara. Duke zëvendësuar në këtë detyrë Jeff Sessions, që u shkarkua nga Trump muajin e kaluar, 68-vjeçari do të marrë drejtimin e hetimeve mbi ndërhyrjen e përfolur ruse në zgjedhjet e 2016-s. Mediat amerikane raportojnë se më herët Barr ka qenë një zë kritik për disa aspekte të këtij hetimi. Konservator dhe me profesion avokat, Barr e ka ushtruar detyrën e kryeprokurorit edhe në periudhën 1991-1993, gjatë presidencës së Bushit të vjetër. Asokohe, presidenti e vlerësonte atë si një jurist të respektuar si nga republikanët edhe nga demokratët.

Nëse konfirmohet nga Senati, ai do të zëvendësojë kryeprokurorin në detyrë Mat Waytaker, një figurë kjo kontradiktore sa i takon pikëpamjeve mbi hetimin e Robert Mueller. 68-vjeçari Barr ka një kurrikulum mbresëlënës sa i takon karrierës së tij. Ai është diplomuar për juridik në Universitetin Georxh Washington, ndërsa ka doktoratë edhe në shkenca politike. Gjatë kohës që ndiqte studimet në fushën e ligjit në vitet 1973-1977, Barr ka punar në radhët e CIA-s. Në vazhdim ka punuar si funksionar në Gjykatën e Apelit në Washington, ndërsa për një vit ka qenë anëtar i stafit të presidentit Ronald Reagan për politikën e brendshme.

Në 1989-n Barr u caktua nga presidenti i atëhershëm Bush si kryetar i këshilltarëve ligjorë pranë Departamentit të Drejtësisë. Pak më vonë ai u ngrit në detyrën e zëvendës prokurorit të përgjithshëm dhe më pas në postin më të lartë, duke shërbyer si kryeprokurori i 77-të i Shteteve të Bashkuara. Në postin në fjalë, ai mbikëqyri edhe aktivitetet e Robert Mueller, që asokohe ishte shef i divizionit të krimeve. Vite më vonë e deri më sot, Barr është angazhuar në detyra të ndryshme në sektorin privat./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!