Militantët talebanë në Afganistan akuzohen se kanë vrarë një police shtatzënë. Gruaja, e quajtur Banu Negar, u vra në shtëpi para të afërmve në Firozkoh, qendra e provincës qendrore Ghor. Vrasja vjen në mes të raporteve në rritje për përshkallëzimin e represionit të grave në Afganistan. Por talibanët i thanë “BBC”-së se ata nuk kishin asnjë përfshirje në vdekjen e Negar dhe po hetojnë incidentin.
Zëdhënësi Zabiullah Mujaheed tha “Ne jemi në dijeni të incidentit dhe unë jam duke konfirmuar se talebanët nuk e kanë vrarë atë, hetimi ynë është duke vazhduar”. Ai shtoi se talebanët kishin shpallur tashmë një amnisti për njerëzit që punonin për administratën e mëparshme dhe e lidhën vrasjen e Negar me “armiqësi personale ose diçka tjetër”.
Detajet e incidentit janë ende të paqarta pasi shumë njerëz në Firozkoh kanë frikë nga ndëshkimi nëse flasin. Por tre burime i thanë “BBC”-së se talebanët e rrahën dhe e qëlluan Negarin para burrit dhe fëmijëve të saj të shtunën.
Të afërmit publikuan imazhe që tregonin gjak të shpërndarë në një mur në cep të një dhome dhe një trup, ku fytyra ishte e shpërfytyruar rëndë. Familja thotë se Negar, e cila punonte në burgun lokal, ishte tetë muajshe shtatzënë.
Që nga marrja e pushtetit më 15 gusht, talebanët kanë kërkuar të portretizohen si më tolerantë nga sa sugjeron reputacioni i tyre global, por incidentet, brutaliteti dhe represioni ende raportohen në pjesë të Afganistanit. Grupet e të drejtave të njeriut kanë dokumentuar vrasje për hakmarrje, arrestime dhe persekutime të pakicave fetare./ Abcnews.al