“Marashi mund të shkonte te Italia. Po Vata në cilën kombëtare e çoi djalin?”, shpërthen babai i Kumbullës

schedule20:38 - 4 Shtator, 2021

schedule 20:38 - 4 Shtator, 2021

Shqipëria gaboi shumë në mbrojtje ndaj Polonisë dhe u mund me shifrat 4-1. Pas ndeshjes peshën me të madhe të humbjes e mbajti Marash Kumbulla. Djaloshi mund të kishte bërë më mirë në rastin e golit të Lewandowski, por nuk arriti ta bllokojë polakun.

Pas ndeshjes në opinionin e tij për ndeshjen, Rudi Vata, ish-kapiten i Shqipërisë kishte rezerva për Kumbullën dhe u shpreh se ishte më i dobëti në fushë për kombëtaren tonë.

Pas këtyre kritikave për Panorama Sport ka reaguar babai i mbrojtësit, Nikolin Kumbulla, që sulmon direkt Vatën, djali i të cilit është pjesë e moshave të Skocisë..

“Për rastin e golit të Lwandowskit Marashi më tha që kishte pasur mundësi të kapte topin, por iu bë faull dhe kjo e pengoi në qëllimin final. Është punë sekondash, mendon që mund ta bësh një gjë, por nuk të dalin llogaritë. Askush nuk gabon me dashje.

Por nuk mund të kryqëzohet në këtë mënyrë dhe të konsiderohet si fajtori i vetëm i asaj humbjeje. E kam fjalën për kritikat e Rudi Vatës. Së pari, duhet ta shohim rastin me kujdes, sepse ka pasur faull para se të përfundonte aksioni.

Por përtej kësaj, nuk mundet që ta trajtosh kështu një djalë të ri, aq më tepër kur ke qenë vetë futbollist. Dakord, Rudi ka qenë futbollist i rëndësishëm dikur, por gjithçka ka edhe një moshë. Marashi është ende i ri dhe mund të gabojë, por Vata të mos bëjë sikur ka qenë perfekt vetë.

Ky (Vata) që i kritikon të gjithë pa përjashtim çfarë është?! Po i them diçka meqë e ka merak Shqipërinë… Djali im kishte mundësi që të luante edhe me Italinë, por zgjodhi Shqipërinë.

Po djali i Rudi Vatës me cilën kombëtare luan? Po ta donte kaq shumë Shqipërinë Vata e kishte sjellë të birin të luante kuqezi, jo zgjidhte kombëtare tjetër. Kaq kam për t’i thënë Rudi Vatës”, mësohet të jetë shprehur Nikolin Kumbulla. /abcnews.al