Marash Kumbulla do të vazhdojë të luajë në La Liga, por me një skuadër të re. Ai bashkohet me Rayo Vallecano-n, ku aktivizohet edhe mbrojtësi tjetër kuqezi, Ivan Balliu.
Sipas njoftimit zyrtar të klubit të Romës, qendërmbrojtësi është huazuar deri në fund të sezonit, me klubin spanjoll që ka të drejtën e blerjes.
Futbollisti 26-vjeçar do të luajë për sezonin e tretë radhazi në elitën e futbollit spanjoll.
Sezonin e kaluar ai ishte pjesë e Mallorcës, ku luajti në tetë takime në La Liga, duke regjistruar në total 485 minuta.
Versionin më të mirë të karrierës së tij e shfaqi në sezonin 2024/25 me Espanyolin.
Mbrojtësi shqiptar u aktivizua për 2.976 minuta në La Liga, duke luajtur në 35 ndeshje, 34 prej tyre si titullar, ndërsa realizoi edhe tre gola.
Kumbulla është pjesë e Kombëtares së Shqipërisë që nga viti 2019 dhe numëron mbi 20 paraqitje me fanellën kuqezi. Ai ishte gjithashtu pjesë e ekipit që mori pjesë në Euro 2024./abcnews.al


