Doda: Kryeministri e ka keqpërdorur çështjen kombëtare

schedule20:40 - 4 Dhjetor, 2018

schedule 20:40 - 4 Dhjetor, 2018

Sipas Mesila Dodës kryeministri Rama ka keqpërdorur çështjen kombëtare. Ajo ishte e ftuar në “Provokacija” ku tha se është pesimiste rreth marrëveshjes me Greqinë, për shkak të sjelljes së shtetit tonë. Sipas sekretares së përgjithshme të PDIU-së, Rama përdor tonet nacionaliste sa herë që ka probleme të brendshme.

“Unë jam shumë pesimiste për mënyrën si është sjellë shteti shqiptar. Ka një tendencë kohët e fundit për të rimarrë tonet nacionaliste. Po të vini re sa herë ka një krizë brenda vendit, Rama fshihet dhe mundohet të marrë tonet nacionaliste siç ka bërë këto ditë. Mendoj që atdheu dhe koncepti i kombit shqiptar, është diçka që e tejkalon politikën e ditës dhe ti nuk mund ta përdorësh. Ajo që ka rezultuar është që kryeministri i sotëm e ka keqpërdorur çështjen kombëtare sa herë i është dashur për të krijuar një diversion apo një pozitë të tij më të fortë brenda vendit. Pra nëse ka probleme siç i ka sot me çështjet e brendshme, përgjimet që dalin, përgjimet që janë për blerje votash, përgjime që tregojnë për vjedhje të jashtëzakonshme që bëhen në vepra publike, kemi menjëherë një zhvendosje të debatit, dhe kalim me tone të forta nacionaliste me qëllim që të unifikojë vendin, siç ndodhi dhe në zgjedhje, kishte vota kuqezi. Pas gjashtë muajsh tha unë e përdora çështjen çame”, tha ajo.

Përsa i përket çështjes çame, Doda tha se Shqipëria tërhiqet sa herë i bëhet presion.

“Shteti shqiptar flet me gjysmë zëri sa herë që i bëhet presion për këtë çështje dhe tërhiqet shumë hapa pas kur nuk i duhet. Tani Kryeministri është shtrembëruar sepse ka kuptuar që problemet brenda vendit janë trashur dhe është normale që t’i të kërkosh përbashkimin në emër të patriotizmit. E vetmja gjë që unë mendoj është që Shqipëria ka histori shumë tragjike që të vazhdosh, të pranosh dhe të luash me ndjenjat kombëtare. Ai e di më mirë se deri ku mund të arrijë me këtë retorikë dhe i di shumë mirë rezultatet reale”, u shpreh Doda. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!