Amerika përfundoi ditën e sotme tërheqjen e trupave nga Afganistani duke i dhënë fund luftës 20 vjeçare. Kapitulli i historisë së kësaj lufte mbyllet me shpenzime kolosale dhe mijëra jetë të humbura, ndërsa fundi ishte kaotik duke u mbyllur me mijëra evakuime, teksa vendi tani ndodhet në dorën e talebanëve.
Çfarë duhet të dini;
- Gjenerali Kenneth McKenzie, Komandant i Komandës Qendrore të SHBA, konfirmoi se SHBA përfundoi tërheqjen nga Afganistani.
- Fluturimet e fundit amerikane u nisën sot nga Aeroporti Ndërkombëtar “Hamid Karzai”, afati i rënë dakord me talebanët për tërheqjen.
- McKenzie: Tërheqja e sotme nënkupton fundin e evakuimit, por edhe fundin e misionit gati 20 vjeçar që filloi në Afganistan menjëherë pas 11 shtatorit 2001.
- Gjithsej 2,461 ushtarë amerikanë dhe civilë u vranë në Afganistan dhe më shumë se 20,000 u plagosën, në dy dekadat e fundit – përfshirë 13 anëtarë të shërbimit amerikan të cilët u vranë javën e kaluar në sulmin e ISIS-K në aeroportin e Kabulit.
- Që nga 14 gushti, një ditë para se talebanët të merrnin Kabulin, SHBA ka evakuuar më shumë se 79,000 civilë nga aeroporti, përfshirë 6,000 amerikanë, dhe më shumë se 73,503 shtetas të vendeve të treta dhe civilë afganë.
- Në total, avionët amerikanë dhe të koalicionit evakuuan më shumë se 123,000 civilë – mesatarisht më shumë se 7,500 civilë në ditë.
- Misioni i evakuimit ishte 18 ditë, përfshirë 16 ditë të plota të evakuimeve dhe më shumë se 19,000 evakuime në një ditë të vetme.
- Kur filloi misioni, tha gjenerali McKenzie, ata po punonin në “supozimin se forcat afgane të sigurisë do të ishin një partner i gatshëm dhe i aftë i sigurisë në Kabul, duke mbrojtur kryeqytetin për disa javë” – megjithatë, kjo nuk ndodhi ndërsa talebanët morën kontrollin e qytetit.
- Në 20 vitet e pranisë amerikane në Afganistan, më shumë se 800,000 pjesëtarë të shërbimit amerikan dhe 25,000 civilë kanë shërbyer.
- 7 Tetor 2001: Koalicioni i udhëhequr nga SHBA bombardoi objektet e talebanëve dhe al-Kaedës në Afganistan. Synimet përfshinin Kabulin, Kandaharin dhe Jalalabadin. Talebanët, të cilët morën pushtetin pas një okupimi dhjetëvjeçar sovjetik të ndjekur nga lufta civile, refuzuan të dorëzojnë udhëheqësin e al-Kaedës, Osama Bin Laden.
- 13 Nëntor 2001: Aleanca Veriore, një grup rebelësh anti-talebanë të mbështetur nga forcat e koalicionit, marrin kontrollin e Kabulit.
- 7 shkurt 2009: Presidenti amerikan Barack Obama miraton një rritje të madhe të numrit të trupave të dërguar në Afganistan. Në kulmin e tyre, ata numëruan rreth 140,000 trupa.
- 28 Dhjetor 2014: NATO përfundon operacionet e saj luftarake në Afganistan. SHBA tërheq mijëra trupa. Shumica e atyre mbetën të fokusuar në trajnimin dhe mbështetjen e forcave afgane të sigurisë.
- 29 Shkurt 2020: SHBA dhe talebanët nënshkruan një “marrëveshje për të sjellë paqe” në Afganistan, në Doha, Katar. Aleatët e Shteteve të Bashkuara dhe NATO -s bien dakord të tërheqin të gjithë trupat brenda 14 muajve nëse militantët mbështesin marrëveshjen.
- 13 Prill 2021: Presidenti amerikan Joe Biden njoftoi se të gjitha trupat amerikane do të largohen nga Afganistani deri më 11 shtator të këtij viti.
- 16 gusht 2021: Në pak më shumë se një muaj, talebanët marrin kontrollin e Afganistanit, ndërsa forcat e sigurisë u dorëzuan pa kushte.
- 31 gusht 2021: SHBA përfundon tërheqjen e saj nga Afganistani pas 20 viteve luftë.
/db/Abcnews.al