Protesta ka pasur sot edhe në Shkozë dhe në Bregun e Lumit në Tiranë, nga banorët që do t’u shemben shtëpitë në funksion të dy projekteve atij të Unazës së Madhe dhe Bulevardit të ri të Tiranës.
Banorët e Shkozës shtëpitë e të cilëve preken nga projekti i Unazës së Madhe vazhdojnë të protestojnë. Gjatë pasdites dolën sërish në rrugë me pankarta e thirrje, si dhe u vunë zjarrin disa koshave të mbeturinave. Deputetë të PD-së shkuan sërish në mbështetje të tyre.
“Nuk u vjen keq që i nxjerrin njerëzit mes katër rrugëve. Nuk iu jep një copë letër që të ankohen në gjykatë. Brenda ditës ta prish shtëpinë dhe nuk njofton. Si mund të sillesh me këtë njeri? Vetëm me e nxjerrë nga ajo zyrë. Se nuk është i denjë për atë zyrë. Se nuk mund të sillesh si pushtues. Gjëja e parë të mbrojmë qytetarët. Gjëja e dytë të mblidhen të gjithë, nga Astiri, studentë, biznesi i vogël, ta rrethojmë dhe të mos e lemë më në atë zyrë”, tha Bumçi.
Edhe banorë të zonës së “Bregut të Lumit” në kryeqytet, shtëpitë e të cilëve preken nga ndërtimi i “Bulevardit të Ri” bllokuan rrugën në shenjë proteste.
“Loti i fundit nuk i pranon që të shkojnë në VKM se VKM-ja është vlerësuar që në 2013. Në 2018 tani del i skualifikuar loti i fundit. Nuk jemi edhe ne të barabartë para shtetit? Të gjithë i kanë marrë deri aty, ndërsa poshtë thotë stop”, tha një banor.
Banorët pretendojnë se nuk janë dëmshpërblyer, ndërsa në mbështetje të tyre ishin edhe deputetë të opozitës
“Kjo është klithmë e këtyre banorëve pronarë në të drejtën e tyre për të mbrojtur pronën. Unë nuk besoj se ka gjë më të shtrenjtë se jeta dhe se prona. Në qoftë se këto të dyja shkelen nuk e di se çfarë i mbetet në dorë këtyre banorëve. Unë jam këtu për ti mbrojtur banorët bashkë me kolegët e mi të PD. Do të bëjmë një betejë ligjore deri në pikën e fundit për ti mbrojtur këto banesa”, u shpreh Tabaku.
Banorët e Shkozës dhe të Bregut të Lumit në kryeqytet kanë paralajmëruar se do të përshkallëzojnë protestat deri në një zgjidhje përfundimtare me qeverinë dhe bashkinë për dëmshpërblimin e banesave./abcnews.al