Ndasitë Ballkanin Perëndimor, por edhe problemet e brendshme në Bashkimin Evropian, vlerësohet se janë ndër arsyet kryesore që po i ndihmojnë Moskës zyrtare të shtrijë dhe konsolidojë influencën në rajon. Në vazhdim ju sjellim një analizës të radios Evropa e Lirë për ndikim rus në rajon.
Sipas një analize të Radios Evropa e Lirë, që iu referohet dokumenteve të shërbimeve sekrete në Maqedoni, Mal të Të Zi, Kosovë e Bosnjë e Hercegovinë, si mbështetës dhe zbatues më të zellshëm të direktivave moskovite në rajon, veçohen dhjetra persona, shtetas të vendeve të Ballkanit Perendimor, por edhe emisarë direkt nga Rusia. Fjala është për spiunë të dikurshëm ose aktual, liderë të partive politike, diplomatë, konsuj nderi, drejtues të organizatave joqeveritare, filozofë. Qëllimi i tyre i përbashkët, si dhe i agjentëve rusë, thotë analiza, është minimi i demokracive perendimore dhe ndërprerja e marrëdhënieve të tyre me vendet aspirante për në NATO dhe Bashkimin Evropian. Për këtë qëllim, sikurse thotë shefi i shërbimit sekret britanik MI5, Endrju Parker, ata shërbehen me një doktrine të posaçme:
“Tani Rusia e praktikon mirë doktrinën e përzierjes në manipulimin mediatik dhe dezinformimet nëpër rrjetet sociale, së bashku me format e vjetra e të reja të spiunazhit, nivelit të lartë të sulmeve sajber, forcës ushtarake dhe sjelljes së dhunshme penale, kjo është ajo që këto ditë nënkuptohet me nocionin e luftës hibride”,- thotë kreu i shërbimit sekret britanik.
Radioja prestigjioze ndërkombëtare, duke u mbështetur në raportet e qendrave kërkimore, të gazetarëve investigativ, por edhe të shërbimeve sekrete të vendeve të rajonit, ofron edhe listën e personave që përçojnë drejtpërsëdrejti ndikimin rus në Ballkanin Perendimor.
Në krye të piramidës ballkanike të Putinit është Nikolaj Patrushev, një agjent ky karriere dhe koleg i dikurshëm i presidentit rus. Patrushev aktualisht drejton Këshillin e Sigurimit Kombëtar të Rusisë dhe llogaritet ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Putinit, kur është fjala për influencën ruse në mesin e vendeve kandidate për në NATO dhe BE.
Për të besohet se ishte në qendër të rrëfimit për ‘tentim grushtshteti në Mal të Zi dhe të përpjekjes për atentat kundër presidentit Milo Gjukanoviq’. Sipas po këtyre burimeve, pa mbikqyrqen e tij nuk mund të kalojë as edhe veprimi më i vogël në Maqedoni, Mal të Zi, Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë.
Në listën e agjentëve ndodhet edhe Goran Zhivaleviq, një nëpunës i lartë i Agjencisë Informative serbe të Sigurimit dhe ish-oficer ndërlidhjeje në amabasadën e Serbisë në Shkup. Për të Drejtoria e Sigurisë dhe Kundërzbulimit e Maqedonisë ka thënë se “ka indikacione se merret me veprimtari agjenturore që bie ndesh me veprimtarinë diplomatike”. Në fakt, ky agjent serb u bë i njohur për shkak të pjesëmarrjes në mjediset e Kuvendit të Maqedonisë në momentin kur po zhvilloheshin ngjarjet e dhunshme, më 27 prill të vitit të kaluar, por atëherë e sot nuk u shpjegua se në çfarë cilësie u gjet atje.
Në analizën e Radios Evropa e Lirë, që iu refereohet dokumenteve të shërbimeve sekrete, përmendet Sergej Samsonenko, biznesmeni më i njohur rus në Maqedoni. Për të pohohet se përmes kishës dhe fesë, saktësisht ndërtimit të kishave ruse, ka tentuar të përhapë ndikimin e Moskës. Kabineti i Samsonenkos, ndërkaq ka përgënjeshtruar këto pretendime.
Në listë janë gjetur edhe emri i Janko Baçevit, një ish-agjent, sot kryetar i një partie të vogël pro- ruse që botërisht kundërshton aderimin e Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian si dhe Stefan Vlahov Micov i cili u shpërfaq në një polemikë publike me Baçevin për shkak të shpërdorimit të parave ruse.
Krejtësisht në fund, radio Evropa e Lirë, duke iu referuar dokumenteve të shërbimeve sekrete në Maqedoni, Mal të Zi, Kosovë e Bosnjë e Hercegovinë, përmend rusin Andrej Radionov themeluesin dhe liderin e lëvizjes “Bashkimi ruso-sllav dhe rilindja” një forcë kjo që angazhohet për bashkimin e të gjithë sllavëve në një “aleancë të vetme të shteteve të pavarura sllave rreth popullit rus, Rusisë së madhe dhe traditave shpirtërore të Rusisë së vjetër”./Klan Macedonia& ReL/