Pentagoni: Vetëm një autor vetëvrasës në sulmin e së enjtes në Kabul

schedule21:27 - 27 Gusht, 2021

schedule 21:27 - 27 Gusht, 2021

Pentagoni thotë se ka arritur në përfundimin se incidenti i përgjakshëm të enjten në aeroportin e Kabulit u krye vetëm nga një autor sulmi vetëvrasës dhe jo dy, siç ishte raportuar më parë.

Pentagoni njofton se autori i shpërthimit vetëvrasës ishte operativ i Shtetit Islamik dhe e kreu sulmin pranë portës Abbey, ku afganët prisnin me shpresën për t’u futur në aeroportin e Kabulit dhe ku trupat amerikane po kryenin kontrollet e sigurisë.

Gjeneral Majori Hank Taylor, zëvendësdrejtor për operacionet rajonale në Shtabin e Përbashkët të Pentagonit, u tha gazetarëve të premten se nuk kishte asnjë shpërthim të dytë pranë hotelit Baron që ndodhet pranë aeroportit.

Ai tha se shpërthimi në Portën e Abbey u pasua nga të shtëna të drejtpërdrejta me armë nga ana veriore e portës. Ushtria e ka cilësuar incidentin një sulm kompleks. Gjeneral Majori Taylor tha se ushtria nuk ka hollësi të tjera mbi identitetin e atyre që qëlluan me armë. Ai shpjegoi se raportimet për dy shpërthime ishin rezultat i konfuzionit fillestar.

Dy zyrtarë thanë se 169 afganë gjetën vdekjen, megjithëse do të duhet kohë për të konfirmuar numrin përfundimtar të viktimave. SHBA tha se 13 trupa amerikane u vranë në këtë incident që shënoi ditën më të përgjakshme për forcat amerikane në Afganistan që nga gushti 2011.

Gazeta The Wall Street Journal njofton se turmat u shpërndanë të premten në darkë pasi u përhapën zëra se mund të kishte së shpejti një tjetër sulm terrorist. Një gazetar i Zërit të Amerikës që ishte në skenën e shpërthimit të së enjtes tha se rrugët ishin përgjithësisht të shkreta dhe se talebanët kishin bllokuar lëvizjen pranë aeroportit.

Presidenti amerikan Joe Biden është betuar për shpagim ndaj përgjegjësve për sulmin vdekjeprurës:

“Ata që kryen këtë sulm, si dhe kushdo që i do të keqen Amerikës, ta dinë mirë: Ne nuk do t’i falim,” tha zoti Biden në një fjalim të transmetuar në shkallë vendi. “Ne do t’ju gjurmojmë, do t’ju gjejmë dhe do ta paguani”.

Presidenti Biden tha se ka urdhëruar komandantët të hartojnë plane opercionale për të goditur udhëheqjen si dhe objektet e degës së ISIS-it në Afganistan, të njohur si ISIS-K. “Do të përgjigjemi me forcë dhe precision kur ta shohim të arsyeshme dhe aty ku e gjykojmë me vend,” tha presidenti.

Shteti Islamik mori përgjegjësinë për shpërthimin të enjten vonë, duke thënë se një nga luftëtarët e tij ishte ai që kreu shpërthimin vetëvrasës dhe postoi një fotografi të një personi duke pozuar me jelek me lëndë plasëse, të cilin e prezantoi si autori i sulmit.

Ndërkaq, rreth 105,000 vetë janë evakuuar me mjete ajrore nga Afganistani që nga 14 gushti, kur talebanët morën Kabulin. Që nga fundi i korrikut shifra totale e të evakuuarve përllogaritet në rreth 110,600 vetë.Sipas zyrtarëve, që të enjten janë evakuuar 12,500 vetë.

Gjenerali Taylor tha se më shumë se 300 amerikanë u nxorën nga vendi të enjten, duke e çuar numrin total në rreth 5100 që kur filluan evakuimet. Departamenti amerikan i Shtetit vazhdon punën për përgatitjen e dokumentacionit për evakuim, megjithë rreziqet e shtuara në terren.

“Disa porta janë mbyllur, por shtetasit amerikanë, personat me viza speciale emigracioni dhe afganët e kërcënuar që kanë dokumentacionin e duhur, do të vazhdojnë të kontrollohen për t’u përgatitur për nisje nga aeroporti”.

Ndërkaq, zëdhënësi i Pentagonit John Kirby tha të premten se Departamenti i Mbrojtjes ka autorizuar tre objekte ushtarake në SHBA t’i shtohen listës së mëparshme me katër objekte që do të ofronin “mbështetje për misionin e evakuimit të afganëve me viza speciale emigracioni dhe familjeve të tyre si dhe individëve të tjerë të rrezikuar”.

I pyetur nëse SHBA mund të kryejë njëkohësisht planifikimin dhe ekzekutimin e kundërsulmeve ndaj ISIS-it, ndërkohë që vazhdojnë evakuimet, Gjeneral Majori Taylor tha: “Kemi burime në Komandën Qendrore, si dhe komandantë në terren, gjë që na ofron kapacitetet për të kryer operacionet që nevojitet të realizojmë“./ VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!