Punimet për Unazën e Re, çfarë do të ndodhë me trafikun

schedule15:10 - 3 Dhjetor, 2018

schedule 15:10 - 3 Dhjetor, 2018

Në Unazën e Re në Tiranë thuajse çdo gjë është gati për të nisur zbatimin e projektit për zgjerimin e rrugës. Punimet janë përqendruar në mes të segmentit dhe tek sheshi “Shqiponja”. Me rritjen e volumit të tyre është parashikuar edhe devijimi i trafikut. Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Bashkia e Tiranës kanë hartuar planin e posaçëm.

Kjo rrugë tashmë është rreth një metër më e ngushtë në të dy anët e saj. Kjo ëshë lëvizja e parë për menaxhimin e trafikut të automjeteve me nisjen e punimeve në mes të segmentit nga Shkolla Teknologjike deri tek sheshi “Shqiponja”.

Ndërhyrja ka sjellë edhe vështirësi në qakullim. Plani i menaxhimit të trafikut hartuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Bashkia e Tiranës për fazën e parë të punimeve në Unazën e Re parashikon  mbylljen e kryqëzimit të rrugës “Teodor Keko” me atë “Aleksandri i Madh”.

Automjetet mund të vijojnë lëvizjen drejt ose të kthehen djathtas në rrugën “Kristaq Mone”.   Të mbylluara do të jenë edhe daljet e blloqeve të banimit ndërmjet urës së Lanës dhe rrugës “Mikel Maruli”.

Puna më e madhe në këtë fazë të zbatimit të projektit do të përqëndrohet në sheshin “Shqiponja”. Gërmimet për ndërtimin e mbikalimit kanë nisur. Për shkak të tyre këtu nuk do të ketë më rrethrrotullim. Automjetet që vijnë nga Lapraka për t’u futur në Unazën e Re duhet të kthehen tek mbikalimi i Kamzës.

Ndërsa automjetet që vijnë nga rruga “Tom Plezha” drejt rrugës “Teodor Keko” duhet të kthehen djathtas pasi lëvizja drejt sheshit “Shqiponja” do të bllokohet. Skema e menaxhimit me trafikut nuk parashikon zhvendosje të linjave të transportit publik në këtë zonë. Ato do të vijojnë të funksionojnë.

Ndërkohë semaforët do të riprogramohen në varësi të skemës së lëvizjes ndërsa orientimi i drejtuesve të automjeteve, sipas Autoriteti Rrugor Shqiptar do të realizohet përmes sinjalistikës së posaçme./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!