Ditën e sotme është finalizuar operacioni i koduar “Otima”, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike. Operacioni është zhvilluar nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, Forcat Speciale RENEA dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, nën drejtimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Bazuar në informacionet e marra nga terreni se në zonën e Otimës në Selenicë, persona me precedent kriminal kishin kultivuar bimë narkotike, policia vuri në pranga Ferdinant Llanaj, 43 vjeç, banues në Selenicë me pseudonimin “Robi”, Dritan Begaj, 54 vjeç, banues në Vlorë dhe Ergi Cura, 21 vjeç, banues në Librazhd.
Të arrestuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin kultivuar 600 bimë cannabis sativa në ambientet e banesës së 43-vjeçarit Llanaj dhe në ambientet përreth një objekti po në pronësi të tij, tek vendi i quajtur “Përroi i Otimës”, Selenicë.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në këto ambiente, u gjetën dhe u sekuestruan një sasi lënde narkotike kanabis, 4 automjete, dy prej tyre të blinduara, 6 aparate celular dhe një shumë parash. /abcnews.al/