Në Francë presidenti Emanuel Makron ka bërë lëshimin e parë ndaj protestuesve të cilët prej ditësh manifestojnë kundër rritjes së cmimit të karburantit. Ai i ka kërkuar kryeministrit Filip të takohet me përfaqësuesit etyre, ndërkohë që sindikata e policisë në vend kërkon anulimin e protestës së paralajmëruar për në 8 dhjetor.
Një shofer mbeti i vrarë në Arle, në jug të Francës, si pasojë e një aksidenti të shkaktuar nga bllokimi i rrugës nga jelekët e verdhë në një provincë. Bëjet fjalë për viktimën e tretë që nga fillimi i protestave dy javë më parë. Automjeti u përplas me një kamion të bllokuar në rrugë.
Presidenti francez Makron më në fund ka pranuar hapjen e dialogut me protestuesit. Dhe manifestuesit nga ana e tyre u shprehën të gatshëm për tu takuar me qeverinë. 10 prej tyre mes të cilave dhe Zhaklin Morod apeli i së cilës nisi dhe protestat, janë gati ti propozojnë qeverisë një mënyrë për të dalë nga kriza. Kërkesat e menjëhershme dhe të panegociueshme janë bllokimi i rritjes së taksave mbi karburantin dhe anulimi i taksës ekstra për rikontrollin e detyrueshëm të automjeteve.
Presidenti Makron i ka kërkuar kryeministrit Eduard Filip që të presë liderët e lëvizjes – jelekët e verdhë – dhe krerët e partive. Gjatë mbledhjes urgjente në Elize të kërkuar nga Makron për të diskutuar rreth situatës në vend, nuk u vendmos për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme si ishte kërkuar nga zëdhënësi i qeverisë. Kryeministri francez Filip pritet të takojë gjatë ditës, liderët politikë dhe përfaqësuesit e protestuesve.
Kreu i Elziesë është pritur me fërshëllima teksa parakaloi tek Harku i Triumfit ku kreu homazhe tek busti i ushtarit të panjohur pas kthimit nga samiti i G20-ës në Argjentinë. Protestuesit kërkuan dorëheqjen e tij dhe kënduan Marsejezën.
Sindikata e policisë kërkon anulimin e manifestimit të paralajmëruar për në 8 dhjetor. Me anë të një kërkese zyrtare agjentët bëjën të ditur se do të ishte fundjava e katërt që forcat e rendit kryejnë shërbim të jashtëzakonshëm në Paris dhe në qytete të tjera të vendit. Policët nuk janë robotë, përfundon dokumenti. /abcnews.al