Pasi la mandatin Najada Çomo tregon situatën në Infektiv: Të shtruarit janë të pavaksinuar, ka edhe të rinj

schedule17:41 - 26 Gusht, 2021

schedule 17:41 - 26 Gusht, 2021

Shefja e Infektivit Najada Çomo ka dhënë detaje për situatën me të sëmurët në këtë spital. Çomo, e cila një ditë më parë la mandatin si deputete e zgjedhur në listat e PS, ka thënë se numri i të shtruarve vijon të rritet.

Sipas saj vihet re se numrin më të lartë të të sëmurëve e përbëjnë të pavaksinuarit dhe gjithashtu ka edhe mosha të reja.

Çomo ka pritur ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu në ambientet e Covid-3, i cili pritet të rihapet nëse mbushen kapacitetet e infektivit.

“Numri ka ardhur duke u shtuar. Vihet re që kemi grupmosha të ndryshe, veçohet edhe moshat 20 vjeç e lart. Pjesa më e madhe e pacientëve të shtruar janë të pavaksinuar. Është një element i rëndësishëm që të bëjmë thirrje për vaksinime. Rritja e numrit të rasteve na orienton që ato struktura që kanë punuar në Covid 3 kanë mbetur të gatshme. Shtohet stafi qoftë mjekë dhe infermierë do të punojnë,” tha Çomo.

Manastirliu apeloi edhe njëherë që qytetarët të bëjnë vaksinën si armën e vete të shpëtimit, ndërsa theksoi se janë të përgatitur për çdo situatë.

“Jemi të përgatitur për të përballuar çdo situatë. Presim të rihapim Covid-3 nëse mbushen kapacitetet.  Duhet të kuptojmë që parandalimi ka rolin e vet. Sot përveç maskës dhe higjienës është edhe vaksina që është arma shpëtuese,” u shpreh ministrja. g.v/abcnews.al