Ka qenë një periudhë e vështirë për Britney Spears pasi ndodhet në një betejë ligjore me të atin, por këngëtarja ka patur mbështetjen e të dashurit të saj, Sam Asghari. Spears shprehu mirënjohjen për partnerin për mbështetjen që i ka dhënë në këto vite të vështira të jetës së saj ndërsa vazhdon luftën për t’i dhënë fund kujdestarisë ligjore të së atit.
“Ky idiot kaq i ëmbël jo vetëm që ka qenë pranë meje në vitet e mia më të vështira, po është edhe një kuzhinier shumë i mirë.”, shkruan Spears krahas fotos ku shihet me të dashurin. Pasi dëshmoi në qershor, herën e parë që foli publikisht për kujdestarinë e saj, Spears paraqiti një kërkesë në fillim të këtij muaji duke kërkuar që babai i saj të tërhiqej nga posti i kujdestarit të pasurisë së saj.
Gjatë gjithë dramës ligjore, Asghari – të cilin Britney e takoi në xhirimet e videoklipit “Slumber Party” – ka qëndruar në mbështetje të partneres së tij. “Gjithmonë kam dashur më të mirën për gjysmën time më të mirë dhe do të vazhdoj ta mbështes duke ndjekur ëndrrat e saj dhe duke krijuar të ardhmen që dëshiron dhe meriton.”, tha ai gjatë një interviste në fillim të këtij viti. /abcnews.al